Në vitin 2008, Veronika Danaj bleu një apartament 2+1 në qytetin e Korçës nga firma ndërtuese “Konstruksion 93”, me pronare Lida Qirashi Kushe. Për blerjen e shtëpisë, ajo pagoi 70 milionë lekë të vjetra në dorë, vetëm me fatura zyre. Nuk u hartua asnjë kontratë noteriale, nuk pati pagesë përmes banke dhe asnjë dokument ligjor nuk u depozitua në Kadastër.Veronika jeton në këtë apartament prej 15 vitesh dhe ka investuar edhe rreth 70 milionë lekë të tjera.Por, pas gjithë kësaj kohe dhe investimi, ajo nuk ka asnjë certifikatë pronësie.Veronika, së bashku me gazetaren, shkon në zyrën e Lida Qirashi Kushes. Fillimisht, përfaqësuesja e firmës refuzon çdo bashkëpunim dhe largohet me fjalë fyese ndaj gazetares.Por pas insistimit, ajo rikthehet në zyrë dhe pranon të sqarojë situatën.Ajo zbulon, se prona është përdorur si garanci për një kredi bankare, ndaj nuk ka qenë në gjendje, ta pajisë blerësen me certifikatën e pronësisë. Në fund, Lida Qirashi Kushe premton, se më 25 dhjetor 2025, do të shlyejë kredinë, do të firmosë pranë noterisë dhe do të nisë procedurat për aplikim në Kadastër.
Në seancën e sotme parlamentare, Ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ia la turpin opozitës, për mënyrën, sesi u trajtua çështja e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja. Në një reagim të deputetes Ina Zhupa, kjo e fundit u përgjigj me të njejtin ton, duke e kthyer kështu “turpin” në një top ping-pongu mes palëve.
Sidorela Përfundi nga Durrësi është përballur me një absurditet ligjor, që po e penalizon. Pas divorcit me ish-bashkëshortin, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, ka gabuar në shënimin e datëlindjeve në vendimin për zgjidhjen e martesës.Ky gabim i thjeshtë ka prodhuar pasoja të rënda. Sidorela ka nisur një bashkëjetesë të re dhe ka sjellë në jetë një vajzë, por nuk arrin ta regjistrojë dot fëmijën, sepse sistemi kërkon përputhje të saktë të të dhënave me vendimin gjyqësor.E shqetësuar, Sidorela është drejtuar pranë gjykatës për të ndjekur procedurën e korrigjimit, por asgjë nuk është bërë.Ndërkohë, koha po kalon dhe ajo rrezikon të humbasë bonusin e lindjes, vaksinimin e fëmijës, si dhe vetë regjistrimin në gjendje civile.Sipas ligjit, gabimi korrigjohet me një seancë gjyqësore, por deri më sot nuk është caktuar asnjë datë gjyqi, pavarësisht se Sidorela ka depozituar kërkesë për përshpejtimin e çështjes.