Kronika e plotë:
Frederik Çuçllari mban postin e Dekanit në Universitetin “Fan S. Nolin” në qytetin e Korçës, falë një masteri që ai thotë se e ka kryer në një universitet në Bullgari.
Por ndryshe nga sa shprehet dekani, një qytetar që ka trokitur në redaksinë e emisionit investigativ “STOP” pretendon të kundërtën. Sipas Agron Dalipajt, i cili rastin e ka denoncuar edhe në Prokurorinë e Korçës, masteri i paraqitur nga dekani është i parregullt.
Rasti në fjalë u ndoq nga prokurori Elsion Sadiku, i cili në fund e mbylli çështjen, pasi sipas tij, gjithçka rezultonte në rregull.
Stafi i “STOP” iu drejtua dekanit, rektorit dhe prokurorit të çështjes, të cilët dhanë të tre versione të ndryshme.
Të gjendur në këtë situatë, “STOP” vendosi që të kontaktojë Universitetin në Bullgari. Në përgjigjen zyrtare të këtij universiteti, thuhet se nuk ka programe master part time, ndryshe nga sa thotë dekani.
Agron Dalipaj, denoncues : “Kam bërë një denoncim, i cili kaloi në Prokurori”.
Çfarë denoncove në Prokurori ?
Agron Dalipaj: “Midis të tjerave, denoncova dhe për diploma të dyshimta, siç flitej në shtyp, i cili nuk u përgënjeshtrua asnjëherë dhe konkretisht për dekanin e Fakultetit Ekonomik, z. Frederik Çuçllari dhe Prokuroria i vazhdoi hetimet pa masë. I bëra dy herë kërkesa që të më thërrisnin për të dhënë informacion, nuk më thirrën asnjëherë dhe prokurori e mbylli çështjen duke treguar se ai e ka diplomën në rregull. Në vendimin e prokurorit Elsion Sadikut, thuhet që Prokuroria hetoi çështjen dhe pyti disa studentë që kanë mbaruar në Blagoevgrad të Bullgarisë dhe diploma është e rregullt. Sipas tij, zotëria në fjalë ka kryer masterin 3 herë nga 5 muaj, i ka marrë leksionet dhe i ka dhënë provimet në anglisht, por të dhënat e mija janë që ky zotëria s’ka vajtur fare në Bullgari dhe është bërë me diplomë dhe sot është dekan”.
Stafi i “STOP” kontaktoi me vetë dekanin, prokurorin dhe rektorin, të cilët paraqitën deklarata të ndryshme.
Frederik Çuçllari -Dekan i Fakultetit Fan S. Noli: “Kam lëvizur ditët e shtuna dhe të diela sepse kam punuar me plan mësimor personal të posaçëm, në bashkëpunim siç iu thashë edhe më parë, midis Fakultetit të Ekonomisë dhe Universitetit të Korçës”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, vendimi për pushimin e çështjes penale.
Por a ka Universiteti i Bullgarisë “Neofit Rilski” një program për kryerjen e masterit me kohë të pjesshme?
“STOP” është interesuar pranë fakultetit në Bullgari përmes një emaili, duke e pyetur mbi programet e masterit dhe nëse ka programe masteri part time.
Përgjigjia zyrtare që vjen nga universiteti në Bullgari, pikërisht nga zyra për studentët ndërkombëtarë, është si më poshtë:
“Përshëndetje,
Në përgjigjje të pyetjes tuaj për programin master në ekonomi, ju informoj si më poshtë:
Si një student ndërkombëtar, ju nuk mund të studioni edukimin me kohë të pjesshme, vetëm me kohë të plotë.”
“Përshëndetje xhaxhi Saimir. Jam Daniela, 11 vjeçe, në klasën e gjashtë në shkollën “Kasem Shima”, Mëzez. Kërkoj ndihmë në emisionin tuaj “STOP”. Jetoj me prindërit dhe me vëllain 17 vjeç. Jetoj në një barake në gjendje të mjerueshme, ku kam frikë të fle, se minjtë më vijnë te koka ose akrepat. Prindërit i kam me aftësi të kufizuara dhe nuk kanë mundësi të na i plotësojnë kushtet. Shpresoj që të vini dorën në zemër dhe të vini të na shikoni se ku jetojmë, pa drita 2 vjet.”
Kjo është letra prekëse e Danielës, 11-vjeçares e cila mori guximin për t’ju drejtuar për ndihmë emisionit investigativ “STOP”, me shpresën që thirrja e saj nuk do të bie në vesh të shurdhër.
Pas kësaj letre të mbërritur në redaksi, stafi i emisionit ka udhëtuar në Mëzez – Kodër, për të parë gjendjen e kësaj familjeje dhe për t’u njohur më nga afër me shqetësimin e vajzës.
Por, pamjet e sjella nga kamera e “STOP” flasin më shumë se sa rreshtat e Danielës në letër…
Çfarë të shtyu që t’i drejtohesh me një letër emisionit investigativ “STOP” ?
Daniela: “Emisionin tuaj nuk e shikoj në televizor sepse nuk kam drita prej dy vjetësh, por e shikoj tek komshija. Kështu që thashë t’ju shkruaj një letër që të vini dorën në zemër dhe të më ndihmoni. Prindërit janë të sëmurë, siç e shikuat dhe nuk kanë mundësi që të na i plotësojnë kushtet dhe shpresoj të më ndihmoni.”
Babai i Danielës: “Jam Fatmiri, babai i Danielës, siç e sheh kam një barake që e kam bërë me shumë sakrifica dhe jetoj në mëshirën e Zotit. As drita nuk kam, edhe ujin e blej. Dal, mundohem të merrem me një çik tregti kur kam mundësi, se nganjëherë jam sëmurë, kam kriza, kam dhimbje, kam kaluar në paralizë para 17 vjetëve. Mundohem që të fitoj dhe të nxjerr ndonjë lek.”
Nëna e Danielës: “Në këtë gjendje që jemi ne nuk jeton kush, them unë. Me këtë barake dita -ditës që po bie, shiu po, të sëmurë jemi. Kjo është gjendja jonë.”
Babai i Danielës: “Të gjithë le ta venë veten në pozicionin tim dhe le të thonë ata se çfarë duhet të kërkoj unë.”
Nëna e Danielës: “Edhe një pension invaliteti të kemi, të dy të sëmurë. Kush do të na ndihmojë neve?”