Jemi në Kurbin, pasi File Lleshi tregon, se jetonte me bashkëshortin dhe djalin e saj të madh në një shtëpi, të blerë prej 20 vitesh. Djali i vogël jetonte me familjen e tij, në një shtëpi tjetër. Të dyja familjet kishin certifikata pronësie të ndryshme, por në përbërje familjare ishin së bashku. Prej tërmetit të 2019-ës, shtëpia e saj doli me dëmtim Ds4 për shembje dhe shtëpia e djalit të vogël për riparim. Ajo thotë, se tashmë është në shtëpi me qira, por nuk përfitoi nga rindërtimi, pasi bashkë me djalin, ishin në të njëjtën certifikatë. Zonja tregon, se ka qenë me kancer dhe është operuar, ndaj nuk e di, sa mund të jetojë. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë. Ne u drejtuam në Bashkinë e Kurbinit, ku Nertila Toma, përgjegjëse e zyrës së rindërtimit, thotë, se sipas aktit normativ nr. 9, thuhet, se nuk mund të përfitohet dy herë nga një familje dhe sipas certifikatës së gjëndjes civile të depozituar, vendbanimi në kohën e tërmetit, ka qenë tek shtëpia e djalit të vogël, që doli për riparim. Bashkia Kurbin ka kërkuar hapësira ligjore, për të ndihmuar zonjën dhe disa familje të tjera me të njejtin problem, por nuk kanë marrë zgjidhje.
Jemi në muajin korrik dhe shumë qytetarë kanë nisur, ose po mendojnë për pushimet.Ne i kemi pyetur banorët e kryeqytetit, se ku do pushojnë sivjet dhe si mendojnë të argëtohen. Batutat e tyre, janë për të mos u humbur.
Jemi në njësinë numër dy në Tiranë.Trëndafile Celanji, tregon, se jeton me vëllain e saj Engjëll Celanji, i cili prej 30 vitesh vuan nga skizofrenia dhe ka 8 muaj me paralizë. Ajo thotë, se ia bën vetë të vëllait cdo shërbim, por nuk përfiton kujdestarinë. Vëllai merr 130 mijë lekë kemp, 30 mijë lekë pension invaliditeti nga ISSH, ndërsa Trëndafilja merr 30 mijë lekë. Me 190 mijë lekë, ata duhet të jetojnë përfshirë, pagesat e ujit, energjisë e ilacet.Për këtë rast, interesohemi tek Shërbimi Social në Bashki, ku vemë në dijeni nëndrejtoreshën Aida Cavo. Kjo e fundit na sqaron, se meqë zotëria trajtohet me kemp nga Shërbimi Social dhe pagesë invaliditeti, nuk e përfiton kujdestarinë.Për këtë rast, “Stop” dhe fondacioni “Fundjavë ndryshe” ndihmojnë familjen në nevojë, ndërsa donatorët ofruar në “Stop” kanë mbledhur për motrën e vëllain 655 mijë lekë.