STOP-EMISIONI 191(Sezoni 10) 29 Maj 2025- Polici, vella i gjyqtares, korruptoi prokuroren, punoi me bandat e u kthye ne pune.

Disa muaj më parë treguam, sesi Arben Kotollaku, polic rrugor dhe vëllai i ish-gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu, procedoi një drejtues mjeti në gjendje të dehur.Cështja shkoi në prokurori dhe qytetari i proceduar, mori avokate mbrojtëse zonjën Fetahu. Nga procedimi, ndaj qytetarit u mor masa “detyrim paraqitjeje”. Arben Kotollaku, polici rrugor, i dhuroi një parfum me cmim të konsiderueshëm prokurores së Elbasanit, akt për të cilin, prokuroria regjistroi veprën penale të ndikimit të paligjshëm në adresë të policit Kotollaku.Vetë polici e pranoi ngjarjen, duke u justifikuar, se ishte një formë respekti. Absurd mbetet fakti, se pse APM dhe Policia e Elbasanit, por dhe Spak, nuk kanë bërë asgje, edhe pse kanë kaluar 7 muaj nga ngjarja. Në redaksinë tonë ka ardhur një tjetër informacion për këtë polic. Në vitin 2008, kur ai ishte me detyre shef në Policinë e Sarandës, në bazë të një hetimi, u provua, që Arben Kotollaku bashkëpunonte me bandat. Për këtë arsye ai u përjashtua nga Policia e Shtetit dhe u kallzua në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Enigmë mbetet fakti, sesi Kotollaku mundi të kthehet sërish në punë si polic.Mësojmë, se për këtë kthim, janë përdorur dy vendime gjykatash.Vendimi i Parë i Gjykatës së Pogradecit, i gjyqtarit Sokol Ibi, kur Kotollaku kërkoi dhe mori dy vite dëmshpërblim page, si i hequr pa të drejtë nga puna. Pas dy muajsh, ky vendim mori formë të prerë nga Gjykata e Apelit Korcë.

Sot u mblodh parlamenti, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit.Në seancën, që zgjati vetëm 16 minuta, u shkëmbyen akuza për procesin elektoral dhe u miratua kalendari 3-javor i punimeve. Një video, që po bën xhiron e rrjetit, tregon një polic, që ndalon një autobus pasagjerësh, për t’u ofruar këtyre të fundit, koli me ujë.

Tomorr Barohoxha është një qytetar nga Tirana, i drejtuar në redaksinë tonë, që tregon, se ka filluar legalizimin e ndërtesës së tij që në 2006-ën dhe është është i vetmi në zonën e tij, të cilit nuk po i legalizohet banesa. Ai kërkon ndihmë për të marrë legalizimin, si gjithë të tjerët.Tomorri u paraqit në kadastër, ku i thanë, se do të bëhen sërish matjet, edhe pse janë bërë tre herë, për të vijuar më tej procedurën.Pas ndërhyrjes së gazetares, na u tha, se shumë shpejt do të marrë zgjidhje problemi i qytetarit. E në fakt, pas 19 vjetësh Tomorr Barohoxha pajiset me legalizmin e shtëpisë.

Të Fundit