Pakti Rama-Basha nismat e para antiligjore të ciftit.
Njëlloj si në filmin “Përrallë nga e kaluara”, Rama e Basha e “hëngrën turpin me bukë” dhe bënë marrëveshjen, që përfundoi me ndarje ministrish e drejtorish të rëndësishme. Një nga produktet e para të paktit Rama-Basha, ishte detyrimi ligjor, që i vunë medias, për të transmetuar pa pagesë, reklamat e tyre të fushatës zgjedhore. Ky detyrim i sanksionuar në ligjin “Për partitë politike”, bie ndesh me “kodin zgjedhor” dhe si i tillë, është i pazbatueshëm.Pak ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi ndotjen, që vinte nga “Zgara Supreme”.Pas emisionit, Drejtoria e Mjedisit në Qarkun e Tiranës, i revokoi lejen mjedisore këtij subjekti.
Skandali, shefi i policisë Ballsh dhunon e bën për spital qytetarin e pafajshëm.
Almir Hasanaj, një qytetar nga Ballshi, denoncon në “Stop” dhunën psikologjike dhe fizike nga ana e shefit të policisë, Klodjan Caushaj, pa asnjë shkak. Almiri para disa kohësh ka pësuar një aksident dhe i është nënshtruar një operacioni të vështirë në shtyllën kurrizore.Po si të mos i mjaftonte ky problem, detyrohet të përballojë edhe shqelmat e shefit të policisë, duke përfunduar sërish në spital.Të njejtën gjë pohon edhe babai i Almirit, Besnik Hasanaj. “Stop” bën të mundur një përballje mes shefit të policisë Klodian Caushaj dhe viktimës së tij, Almir Hasanaj, përmes kamerës së fshehtë.Shefi pranon, se e ka dhunuar, edhe psë Almiri nuk bërë asgjë. I vetmi justifikim i përfaqësuesit të rendit është, se ai nuk e dinte për operacionin.
“Jam shtruar të martën. Më ka marrë babi në telefon se është goditur një kushëri me një çelës dhe ishte te spitali. Afrohem këtu dhe shikoj të gjej çelësat përdhe. Vete te makina, shikoj makinën, më thotë shefi i rendit të kaloja matanë, të mos afrohesha aty. Kalova në anën tjetër të xhadesë, më thotë të mos e shikoja, i ktheva kurrizin të mos e shikoja sepse ishte hera e katërt që më bezdis, më godet, më shan. Kur kalova andej më godet me shkelm në mes të kurrizit, ku unë jam i operuar nga shtylla kurrizore, jam invalid. Pas kësaj, më shoqëruan në komisariat, atje nuk po rrija dot në karrige, u shtriva përdhe dhe pas një farë kohe nuk po ngrihesha dot fare.”
Almir Hasanaj rrëfen se pasi nuk po lëvizte dot më, u lajmërua ambulanca dhe kur i bënë grafinë në spital i thanë se i ishte shembur shtylla kurrizore, ndaj i dhanë ilaçe dhe e drejtuan në spitalin e Fierit, ku i bënë edhe disa gjilpëra dhe serume.
Gazetari – Ju çfarë konflikti keni me shefin e rendit, Klodian Çaushaj? Pse dhunoheni në mënyrë periodike?
“Hiç. Asgjë! Unë nuk e di pse më ndalon, më shan rrugës, më godet. Është rasti i katërt.”
Gazetari i emisionit “STOP” së bashku me Almirin i drejtohen spitalit të Ballshit për të marrë informacion se çfarë mjekimi ka marrë kur është shtruar pas goditjes së Klodian Çaushajt.
Doktoresha – Nuk e di. Ne nuk shënojmë se kush e goditi dhe kë goditi. Do flisni me drejtorin sepse gjërat janë arkivuar dhe në momentin që… ka qenë tjetër mjek. Regjistri hapet vetëm me urdhër të drejtorit!
Gazetari komunikon me drejtorin e spitalit të Ballshit, i cili i thotë se ka qenë vetë prezent gjatë ditës që Almiri ka qenë i shtruar në atë spital.
“Ky ka marrë ndihmën e parë dhe ka ikur në drejtim të Fierit. Normale që tjetri nuk vjen kot në spital!”
I ati i Almirit, Besnik Hasanaj shprehet se i biri është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga shefi i rendit, Klodian Çaushaj. Ai thotë se nuk e di përse shefi e dhunon Almirin, ndaj kërkon një takim me të.
“Kam lajmëruar edhe Komisariatin Dixhital të Tiranës, ku më kanë thënë se do të mërren ata me këtë punë. Kam bërë njoftimin dhe unë dhe djali, te punonjësit e Shërbimit të Brendshëm në drejtorinë e qarkut Fier, ku rastet e mëparshme i kanë mbyllur pa asnjë lloj problemi. Ndërkohë i ka bërtitur prapë, i ka thënë mos më shiko, djali i ka kthyer kurrizin dhe sa është ngjitur lart për në bordurë, zotëria e ka goditur, e ka gjuajtur me shkelm nga mbrapa, ku unë djalin e kam invalid. Kam ardhur këtu dhe e kam gjetur djalin brenda në ambientet e komisariatit, të shtrirë, të dëmtuar. Çfarë problemi ka me evlatin tim?!”
Almir Hasanaj takon shefin e rendit, Klodian Çaushaj dhe biseda e tyre regjistrohet me kamerën e fshehtë të emisionit “STOP”.
Shefi Klodian Caushaj – E bëre vizitën?
Almiri – E bëra vizitën.
Shefi – Je më mirë tani?
Almiri – Po… më mirë tani … Unë kam këtë hall. Po të të kem bërë diçka, më thuaj çfarë ke? Është hera e katërt, e pestë që ndodhin këto gjëra. Më thuaj po të të kem bërë diçka, hajde këtu, ke bërë këtë gjë dhe këtu e ke hallall.
Shefi – A më shave ti mua, atë ditë?
Almiri – S’të kam sharë unë. E pashë nga brenda makinën. Më the mos u fut brenda, kalo atje! Kalova atje. Pastaj më the mua, mos më shiko mua, pastaj ktheva kurrizin. Kur ktheva kurrizin unë, ti më godite.
Më godite apo jo?
Shefi – Je mirë me shëndet, njëherë ti?
Almiri – Ashtu jam… kam pak dhimbje…
Shefi – Po ti ke pas aksident, si e ke vrarë, unë s’e dija këtë.
Almiri – Më thuaj, çfarë të kam bërë? Po të kem bërë një gjë, më thuaj: mua më ke bërë këtë edhe më detyrohesh këtë.
Shefi – Asgjë s’ke bërë, je në rregull.
Almiri – Po atje lart, tek kryqëzimi, çfarë të bëra? Pse më godite?
Shefi – Tani do iki se kam punë. Kaq!
Almiri – Unë jam prekur në sedër …
Shefi – Me ty s’kam asnjë gjë.
Almiri – Këtë që më ke bërë ti mua, më ke nxirë jetën.
Shefi – O zotëri! A të prita këtu, të sqarova…?!
Almiri – Me ato që më ke bërë ti mua, më ke nxirë jetën.
Shefi i policisë, Klodian Çaushaj pranon se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Almir Hasanaj, pa asnjë shkak.
“Cirku” i drejtorit të Cirkut, me paratë e dokumentat.
Një ditë pas transmetimit në “Stop” të kamerës së fshehtë, ku drejtori i Cirkut Kombëtar merrte 550 euro për një aktivitet privat, Ministria e Kulturës e ka pezulluar Kujtim Dumin. Ndërkohë kanë dalë në dritë të tjera detaje nga allishverishet e kreut të cirkut. Pasi mori paratë kesh, drejtori mendoi të kopsiste më mbrapa letrat, e t’ia niste ministrisë. Më pas kërkoi anullim të aktivitetit, pikë, që e bëri ministrinë të dyshojë e t’i cojë një grup auditi.I gjendur me 550 euro të pajustifikuara në xhep, drejtori Kujtim Dumi, i është drejtuar krimit ekonomik, “pa kuptuar sesi iu gjetën këto para”.
Saimiri dhe Genti shprehen se në letrën që i ka dhënë Drejtori Kujtim Dumi “klientit”, i cili është gazetar investigativ i emisionit “STOP”, shkruhet vetëm numri i telefonit dhe email -i personal dhe jo llogaria bankare e Cirkut Kombëtar, aty ku duhet të depozitoheshin paratë për performuesit e Cirkut.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një statusi në Facebook shpreh falenderimin e saj për Televizionin Klan, që hodhi dritë në dukuritë abuzive, duke treguar qartë veprimin e jashtëligjshëm të Drejtorit të Cirkut Kombëtar. Ministrja Kumbaro garanton qëndrim pa kompromis në mbrojtje të ligjit dhe detyrës publike, në marrjen e masave të menjëhershme për ndëshkimin dhe vënien para përgjegjësisë së Drejtorit dhe të çdo punonjësi që guxon të bëjë pazar me postin publik.
Mirela Kumbaro ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Drejtorit të Cirkut Kombëtar, Kujtim Dumi, pas videos së transmetuar në emisionin “STOP” ditën e djeshme, ku merrte 550 euro për një aktivitet privat. Në urdhërin numër 280, me pesë pika, i cili hyn në fuqi menjëherë, nënvizohet edhe propozimi ndaj Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Kujtim Dumit, bazuar në raportin e grupit të punës për hetimin e tij, si dhe të materialve të transmetuara në media.
Emisioni “STOP” ritransmeton kamerën e fshehtë të Kujtim Dumit, ku shfaqet duke bërë “pazare” në emër të Cirkut Kombëtar dhe duke marrë pagesën prej 550 eurosh, pa asnjë dokument shoqërues.
Drejtori i Cirkut Kombëtar ka shpërndarë një fotografi me mbishkrimin “një subjekt mashtrues” në llogarinë e tij të Facebook-ut, ku shfaqet mandati i arkëtimit të pagesës së bërë nga gazetari investigativ i emisionit “STOP” që kërkonte shërbim nga ky institucion, por që nuk ia ka dorëzuar kurrë këtij të fundit.
Më datë 19 Maj 2017, Kujtim Dumi ka hartuar një listë me 10 numra cirku nga performuesit e shfaqjes së kërkuar për lokalin “Sebastian” te plazhi Iliria.
Ai gjithashtu i ka nisur një shkresë Ministrisë së Kulturës për miratimin dhe autorizimin e udhëtimit në Durrës të grupit artistik të Cirkut Kombëtar, të ftuar për inaugurimin e biznesit të quajtur “Sebastian”, që hap aktivitetin ditën e enjte, datë 25.05.2017, gjatë intervalit 19:00-22:00. Në këtë shkresë është specifikuar edhe shuma e marrë prej 550 eurosh, të barazvlefshme me 74250 lekë, nga të cilat 70000 lekë do të jenë të ardhura nga shfaqja për institucionin, kundrejt vleftës së biletave që do të asgjësohen dhe 4250 lekë për shpenzimet e transportit. Ndërsa, për sa i përket dietave, thuhet se do të mbulohen nga institucioni.
Më datë 22.05.2017 është dërguar një shkresë tjetër nga Drejtori i Cirkut Kombëtar për Ministrinë e Kulturës, ku kërkohet të mos merret në konsideratë kërkesa e datës 19.05.2017, lidhur me aprovimin e udhëtimit në Durrës, pasi kërkuesi i aktivitetit nuk ka rezultuar bashkëpunëtor serioz, sepse nuk ka shkuar të firmosë marrëveshjen e bashkëpunimit me institucionin, ku përcaktohen angazhimet e palëve; nuk ka firmosur mandatin e arkëtimit dhe nuk ka marrë kopjen e tij, por la vlerën e kërkuar për shfaqjen, është larguar me nxitim dhe ende nuk e ka kryer detyrimin; pas verifikimeve nuk figuron të ketë biznes me këtë emër në vendin e treguar prej tij në plazhin “Iliria”. Për këto arsye nuk e kanë parë të arsyeshme vazhdimin e bashkëpunimit me këtë subjekt inekzistent dhe për të mbrojtur dinjitetin e institucionit, më datë 22.05.2017 kanë bërë kallëzim për korrupsion në Krimin Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë. Shuma e arkëtuar dhe e ruajtur në kasafortën e institucionit është vënë në dispozicion të hetimit, si provë materiale.
Pas këtyre dy shkresave, Ministrja Kumbaro ka dërguar auditin në Cirkun Kombëtar, dy ditë para se të transmetohej kamera e fshehtë në emisionin “STOP”.
Kujtim Dumi ka kryer aktivitete të ndryshme në Tiranë, por nuk dihet nëse i ka paraqitur këto shkresa në Ministrinë e Kulturës dhe nëse paratë e marra i ka deklaruar.