CV-të e deputetëve, një “minierë ari” e vlerave të kombit…?!
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito ka dërguar ftesa për një aktivitet, të quajtur “fuckup”. Por titulli i pazakontë, e ka detyruar Hariton, të bëjë një shpjegim në facebook, duke kërkuar, që të mos merret në anglisht…Këto ditë kanë dalë në dritë fakte të pabesueshme nag cv-të e kandidatëve për deputetët. Nga radist, parukier, shofer mauneje e financues partie, janë “kulmet” e karrierës së disa prej atyre, që po na kërkojnë votën.Një qytetar u ndalua në stadiumin e Shkodrës, ndërsa thërriste “Berisha zemra jonë”…
Skandali i BKT-së, i jep kredi qytetarit, kur ishte në Kinë…
Qytetari nga Rrësheni Gjon Marku, punonjës i AKU, tregon në “Stop”, se ishte viti 2007, kur për arsye pune, u nis për një muaj drejt Kinës.Gjatë mungesës së tij, bashkëshortja kishte marrë një kredi në BKT me vlerë 15 milionë lekë, me afat shlyerje deri në vitin 2014. Vetëm në vitin 2015, kur ishte në proces divorci, Gjoni mësoi për kredinë e marrë me firmën e tij, por pa dijeni.Prokuroria ka pushuar cështjen, noterja Vitore Biba, thotë, se nuk kujtohet për firmën e Gjonit, ndërsa BKT përgjigjet, se Gjon Marku ka qene prezent, kur është marrë kredia. Por “Stop” provon me anë të sistemit TIMS, se Gjoni ka qenë jashtë shtetit, kur në emër të tij është firmosur kredia 15 milionëshe….
Unë jam Gjon Marku, banoj në qytetin e Rrëshenit dhe punoj si inspektor i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Me bursë të akredituar nga Ministria e Bujqësisë, në vitin 2007 unë nisem për në Kinë. Pas 1 muaji që unë isha larguar, ndodh ajo që nuk pritej. Në BKT merret një kredi prej 15 milionë lekësh, e cila do të shlyhej për periudhën 2007- 2014. Kjo kredi merret nga bashkëshortja ime dhe nga njerëzit e saj, duke falsifikuar firmën time dhe pa prokurë të lëshuar prej meje, pa asnjë lloj dokumenti. Shtëpia ime vehet në kontratë hipotekimi, merret nga banka, nga punonjësit e bankës që si firmosin e dinë ata, merret firma dhe në zyrën noteriale, ku gjithashtu falsifikohen. Domethënë është një grup njerëzish që kanë bashkëpunuar për të marrë këtë kredi, e cila në ditën e sotme ka shkuar 21 milionë lekë.”
Gjon Marku shprehet se problemet mes tij dhe bashkëshortes nisën në vitin 2012 dhe ai filloi të përgatisë dokumentat për divorcin, por në vitin 2015 kur ai i dërgon këto dokumenta gjykatës, informohet për kredinë me vlerë prej 15 milionë lekësh. Pranë bankës ai rezulton si “kreditor i keq”.
I gjendur në këto kushte dhe i tradhëtuar nga e shoqja, Gjoni i drejtohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për të faktuar se nuk ka qenë ai që ka marrë kredinë dhe se nuk ka firmosur asnjë kontratë për të qenë kredimarrës pranë BKT. Eksperti kriminalistik, Xhemal Skaci, ka pohuar se nuk është dorëshkrimi e nënshkrimi i Gjon Markut, krahasuar me modelet e sjella për krahasim, por nuk është thërritur asnjë punonjës i bankës. Por prokurorja Riselda Fishta pushon hetimet për këtë çështje sepse kishte kaluar afati prej 5 vitesh, edhe pse Gjoni vazhdon të jetë i deklaruar i kredimarrës.
“Prokurorja për arsye banale nuk vinte në seanca. U shtynë shumë seanca dhe pastaj me vendim të gjykatës pranohet kërkesa ime. Këto akte duhej të ktheheshin në prokurori për t’u hetuar.”
Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua zyrës noteriale të Vitore Bibës për të pyetur nëse kanë qenë prezente të gjitha palët në momentin e firmosjes së kontratës.
Gazetarja – Më datë 10.10.2007 është lidhur një kontratë pranë zyrava tuaja, një kontratë kredie nga kreditori Banka Kombëtare Tregtare me përfaqësuesit e vet, kredimarrësi Gjon Bib Marku dhe ish-bashkëshortja e tij Bardhe Marku. Doja të dija a kanë qenë të gjithë prezent?
Vitore Biba – Aaa, nuk e mbaj mend.
Gazetarja – S’e mban mend ëë?
Vitore Biba – Më vjen keq, por nuk e mbaj mend.
Gazetarja – Po të vë në dispozicion (aktet e ekspertimit)…
Vitore Biba – Po, po e di pak a shumë si problem.
Gazetarja – Po ky akti i ekspertimit, si e ke bërë moj Vitore? Sepse janë bërë dy akte ekspertimi.
Vitore Biba – Më fal, nuk e di se çfarë janë bërë, se nuk ëëë… Më fal, unë nuk e di a janë bërë aktet e ekspertimit apo jo, se këto janë fotokopje. Ku ta di unë, a janë të vërteta apo jo?
Ndërsa Banka Kombëtare Tregtare thotë se kredia është bërë në bazë të aktit noterial, i përfshirë verifikimi i prezencës dhe identiteti i palëve në nënshkrim, si dhe konfirmimi i autencitetit të nënshkrimeve të tyre të kryera në prezencë të noteres.
Në bazë të sistemit TIMS, ku thuhet se Gjon Marku është larguar për në Kinë më datë 21.09.2007 dhe është kthyer në Shqipëri më datë 17.11.2007, periudh në të cilën ai nuk mund të lidhte një kontratë sepse nuk ishte prezent, gjykata duhet ta rihapë çështjen dhe të gjejë një zgjidhje, pasi kredia vazhdon dhe Gjonit i duhet të paguajë përveç kredisë edhe kamat-vonesat.
Historia e pazakontë, rrit 3 nipërit jetimë, njëri prej të cilëve me HIV AIDS.
Fejzie Resulaj nga Vlora, tregon në “Stop” historinë e saj të dhimbshme. Meqë nuk lindte dot fëmijë,birëson një vajzë, Marsidën, e cila kur u rrit, e gëzoi me 3 fëmijë. Por vetë Marsida ndërroi jetë shpejt, e infektuar me HIV-AIDS nga i shoqi. Fejzia tani rrit 3 jetimët, mesa të cilëve edhe Kujtimin, gjithashtu i prekur nga Sida.për 8 muaj Fejzia përfitoi kempin, pensionin dhe kujdestarinë. Në drejtorinë rajonale të shërbimit social në Vlorë, thonë se kujdestaria nuk i takon, pasi nuk bën pjesë në grupin e sëmundjeve, që mund ta përfitonin. Tashmë Fejzie Resulaj, kërkon zgjidhje përmes emisionit “Stop”.
“Kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, të cilin e kam të sëmurë me HIV-AIDS. Merrja 8 muaj kujdestari dhe më vonë nuk ma dhanë. Kërkova llogari dhe më thanë që ashtu ishte urdhri nga Shërbimi Social. Ky është shumë i sëmurë, unë e shtroj gjithmonë në spitalin Nënë Tereza në Tiranë.”
Gazetarja – Djali merr kemp invaliditeti?
“Djali merr vetem kemp tani për tani, kam gati 2 vjet, nuk e di pse ia hoqën kujdestarinë. Ky nuk do të shërohet me bukë e djathë. Unë kam 3 fëmijë dhe marr pension 270 mijë lekë (të vjetra). Çfarë t’i bëj unë ato? 3 mijë lekë në ditë një fëmijë, do hajë, do pijë, do sëmuret, do marrë ilaçet. Përse i hiqet djalit? Unë jam gjyshe, nuk jam nënë, jam për hysmet për vete. Kërkoj kujdestarinë për të përballuar jetesën!”
Fejzie Resulaj rrëfen se vajza e saj është infektuar nga bashkëshorti me HIV-AIDS, sëmundje e cila u ka marrë jetën të dyve dhe është trashëguar dhe nga djali i vogël.
Gazetarja e emisionit “STOP” iu drejtua Shërbimit Social të Vlorës, ku komunikoi me drejtoreshën e saj, Ines Stasën.
“Për sa i përket pjesës financiare ekonomike të mbështetjes nga paketa e mbrojtjes sociale, Fejzie Resulaj përfiton 10140 lekë në muaj për pensionin e nipit të saj, 70000 lekë në vit si familje kujdestare për të tre nipërit dhe mbesat dhe statusin e jetimit për të tre fëmijët. Të treja këto janë pjesë e skemës, të cilat rrjedhin nga buxheti i shtetit.”
Për gjyshe Fejzien mesa duket do të vazhdojnë problemet… Do të vazhdojë të rrisë tre fëmijë e vetme, do të vazhdojë të përkujdeset për nipin e sëmurë me HIV-AIDS e vetme, por gjithashtu do t’i duhet të përkujdeset edhe për veten, pasi nuk ka njeri tjetër që të mund ta ndihmojë. Dhe si të mos mjaftojnë të gjithë këto, shteti vendos t’i presë edhe të ardhurat e kujdestarisë së nipit të sëmurë. Por si do t’i sigurojë Fejzia të ardhurat? Atë e di shteti!