“Stop” ka transmetuar disa herë problematikën e urgjencës së Tiranës, me abuzimet apo kushtet e papërshtatshme, për pacientë, që kanë nevojë për ndihmën e shpejtë. Para dy vjetësh numri i punonjësve të urgjencës ka qenë 62, por tani ka shkuar në 120 vetë, edhe pse shërbimi nuk është shtuar dhe as përmirësuar.Në funksion janë vetëm 6 autoambulanca, që nuk përligjin numrin e punonjësve.Si të mos mjaftonte kjo, Qendra Kombëtare e Urgjencave, e prezantuar me bujë, funksionon vetëm për Tiranën.Gazetari mori në telefon në numrin 127, për një urgjencë në Korcë, por përgjigja ishte, se qendra funksionon vetëm për Tiranën…?!
Nga dita e Europës tek të dhënat personale.
Në nisje të emisionit, një përshëndetje “alla Stop” për ditën e Europës me një këngë nga Boliku i Bëncës. Më pas lëvizja e fundit e PD-së, që kallzoi penalisht dy ministret Nikolla e Manastirliu për marrjen e të dhënave personale të prindërve, të dhëna, që në fakt, zyrat e shtetit i disponojnë.
Polic në detyrë e rezulton debitor për pension, “Stop” zgjidh problemin.
Efektivi i policisë Skënder Palushi tregoi në emisionin “Stop” se në 11 Prill të këtij viti ka marrë një shkresë nga Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore të Tiranës, ku thuhej se është debitor me shumën prej 11 milionë lekësh të vjetra, të përfituara në mënyrë abuzive. Denoncuesi kërkoi ndihmën e emisionit, për të zgjidhur situatën që nuk i përket.
“Problemi im është që nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore më ka ardhur një shkresë përcjellëse sikur unë kam marrë 11 milionë lekë të vjetra pension. Realisht unë nuk jam personi që ka marrë paratë sepse unë vazhdoj të jem në punë dhe të paguaj kontributet. Që nga viti 1974 vazhdoj të jem në punë dhe nuk kam dalë në pension”, u shpreh efektivi i policisë.
ISSH i ka kërkuar Palushit të paraqitet pranë institucionit për të lidhur një kontratë për shlyerjen me këste të parave të marra në mënyrë abuzive, përndryshe çështja do të shkonte në prokurori.
Emisioni “Stop” iu drejtua Institutit të Sigurimeve Shoqërore për ta zgjidhur këtë problem. Nëndrejtori i këtij institucioni, Luan Lapraku tha se dosja rezulton me gjeneralitete të falsifikuara.
“Për mbledhjen e shumave debitore ka rezultuar debitore dosja e Skënder Palushit. Por kjo dosje, që ka filluar të marrë pensionin që në vitin 1997 dhe deri në vitin 2018, ka rezultuar me gjeneralitete false”.
Ai kërkoi ndjesë për shqetësimin e shkaktuar ndaj Skënder Palushit dhe tregoi se personi i vërtetë debitor është gjetur, ndaj të cilit do të nisin procedurat ligjore.
“Të gjitha këto çështje, pavarësisht faktit që kanë një pushim të procedimit penal nga Prokuroria e Tiranës, ne bëjmë të gjitha procedurat tona për të mbledhur dëmin ekonomik”.
Falë ndërhyrjes së emisionit “Stop”, çështja u zgjidh dhe personi debitor do të përgjigjet për mashtrimin e kryer përgjatë 21 vitesh me vlerën prej 11 milionë lekësh të vjetra.