STOP – EMISIONI 174 (SEZONI 2)

Nxënësit e Gramshit mësyjnë në mitingun e Ramës, Basha me PPE si Enveri në Moskë.
Një ditë më parë autobusë me nxënës nga Gramshi iu drejtuan Elbasanit, për të marrë pjesë në takimin e kryeministrit Rama. Por pak ditë më parë, Rama dhe Nikolla shkarkuan dhe përjashtuan nga sistemi mësuesen e Kavajës, që bëri thirrje për pjesëmarrje në mitingun e të parit të qeverisë.Mbrëmë vonë grupi parlamentar i PD-së mbajti një video-konferencë me përfaqësues të PPE-ve, të cilëve Basha “ua përplasi në fytyrë”, njëlloj si Enver Hoxha në Moskë në vitin ’60. Ndërsa paraditen e sotme, Rama e Basha u takuan për 3 orë në selinë e presidencës, në përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje, që do të mundësonte regjistrimin e opozitës në zgjedhje.

Blen dyqan në Tiranë, por e nxjerr përmbarimi, pasi e kish hipotekuar një tjetër.
Bekushan Belli, një zonjë nga Tirana, tregon në emisionin “STOP” se në vitin 2007 bleu një dyqan nga firma “Delton” për 65 mijë euro. Por pas disa vitesh i vjen përmbarimi për ta nxjerrë jashtë, për llogari të shtetasit Reshat Ziko, që kishte hipotekuar po të njëjtin dyqan. Noteria Violeta Sulkaj thotë se kontrata e blerjes së zotit Mehmetali Belli është e rregullt dhe ligjor. Sipas saj, ndërtuesit kanë probleme me pronarin e ri të dyqanit. Në lidhje telefonike, pronarët e firmës “Delta” Përparim Mekshi dhe Bujar Xhaferi thonë se janë në gjyq me Reshat Zikën, por shtetasi që i kanë shitur dyqanin, Mehmetali Belli, duhet ta mbronte vetë pronën nga përmbarimi…?!

“Iu drejtova emisionit “STOP” sepse për një kohë të gjatë kam patur një pronë këtu në Tiranë. Në vitin 2007 kam marrë një dyqan nga një pronar ndërtimi. Ata i bënë të gjitha veprimet, por pas 2-3 vitesh që kisha marrë pronën e kisha lënë dhe me qira, vijnë dhe më bllokojnë. Vijnë ata të përmbarimit privat dhe më thonë që nuk e kisha unë dyqanin, por ata. Dolëm jashtë, na terrorizuan, hynë me forcë në dyqan. Vajta në hipotekë dhe më thonë që e kishte marë dikush tjetër pronën, por si mund ta marrë kur unë jam blerësi i parë, si ia kanë bërë pa dokumente. Më thanë që nuk e dinin dhe se Reshat Ziko ishte pronari. Unë ia bleva Përparim Mekshit dhe Bujar Xhaferit.”

Violeta Sulkaj, e cila është noteria që ka marrë pjesë në nënshkrimin e kontratës sipërmarrëse, u shpreh se kjo kontratë mes Përparim Mekshit, Bujar Xhaferit dhe Mehmet Bellit është e rregullt, brenda të gjithë kërkesave të ligjit.

“Si rregull duhet ta posedojë Mehmet Belli sepse ai e disponon në bazë të aktit noterial, të firmosur nga palët.”

Në pamundësi për të gjetur zyrat e shoqërisë “Delton”, gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me anë të një telefonate me përfaqësuesin e kësaj shoqërie, Përparim Mekshin, për ta pyetur se pse Mehmet Belli ka paguar 65 mijë euro për këtë objekt, kur ai tashmë ka një pronar tjetër.

Përparim Mekshi – Dëgjo tani! Vërtet Mehmeti ka paguar për atë që ka blerë në rrugën “5 Maji”, por arsyeja është se në momentin që ka dalë hipoteka, e kemi njoftuar për të ardhur për të marrë hipotekën. Nuk ka ardhur për ta marrë dhe atë dyqan e kanë tjetërsuar. Po vazhdojmë gjyqet me një palë të tretë, e ka vjedhur, mund ta quajmë e ka vjedhur nëpërmjet hipotekës.

Gazetarja – Kush e ka vjedhur?

Përparim Mekshi – E ka vjedhur, e ka tjetërsuar një Reshat Ziko. Ai ka qenë ndërtues në një pallat tjetër, s’ka pasur lidhje me ne fare. Ka qenë në një pallat tjetër, s’kemi pasur as kufi prone, asgjë! Ka hapur një gjyq të fshehtë, në fshehtësi në të gjitha drejtimet dhe me suportet e tij që ka patur në hipotekë, e ka marrë dyqanin, e ka tjetërsuar.

Gazetarja – Qytetarit nuk i interesojnë konfliktet që keni ju si shoqëri ndërtimi me njëri-tjetrën. Ai ka paguar 65 mijë euro dhe sot nuk gëzon pronën e tij!

Përparim Mekshi – Po, i ka paguar te firma “Delton”.

Gazetarja – Nëse ai nuk e gëzon dyqanin që ka paguar, kthejani lekët mbrapsht!

Përparim Mekshi – Ore, ta mbronte! Kur s’është i zoti të mbrojë pronën e vet, unë do t’ia mbroj pronën? Le të vazhdojë gjyqet dhe ta mbrojë pronën. Ç’janë këto muhabete tani, le të mbronte pronën e vet, të mos e lejonte Zyrën Përmbarimore t’i merrte pronën! Atë kontratë që ka, ta mbrojë deri në fund. Të vazhdojë gjyqet ta mbrojë, meqënëse e paska filluar me… me… Mos i bjer telefonit tim për këtë gjë!

Më pas u telefonua përfaqësuesi tjetër i shoqërisë “Delton”, Bujar Xhaferi.

Bujar Xhaferi – Po, zotëria ka blerë një dyqan në rrugën “5 Maji”. Ne jemi 3 ortakë aty dhe këtë dyqan ai e ka blerë nga ortaku im dhe e ka shkëmbyer me një tokë në Pogradec. Unë e kam firmosur kontratën, tani duhet të takosh zotërinë tjetër që e ka marrë.

Gazetarja – Unë kam një kontratë të firmosur nga ju dhe dua të di pse ky porositës, që ka paguar 65 mijë euro në këmbim të një dyqani, nuk e gëzon sot dyqanin dhe hipoteka është në emër të dikujt tjetër.

Bujar Xhaferi – Sepse është bërë një gjyq aty, nga një Reshat Ziko dhe i ka marrë tokat. Ne jemi në gjyq me të. Na ka vënë një gjobë në mënyrë të padrejtë dhe ne jemi në gjyq me atë. Mos i bjer më telefonit tim për gjëra të tilla!

Përfaqësuesit e shoqërisë “Delton” kanë gjetur zgjidhjen e duhur, duke fajësuar Mehmet Bellin që nuk mundi të mbronte pronën e vet dhe duke mos u përgjigjur më për këtë çështje. Ndaj Familjes Belli do i duhet të bredhë nëpër gjyqe për t’i mbushur mendjen gjykatës dhe hipotekës që ajo pronë është e tyre sepse nuk mjafton kontrata sipërmarrëse që ata zotërojnë. Na ngelet të presim dhe të shpresojmë që kjo familje të mund ta rifitojë pronën e tyre dhe të mos rezultojë që i kenë hedhur ato 65 mijë euro në plehra.

E rrallë në Gur të Zi, blen shtyllat e energjisë, por nuk ka drita prej 2 vjetësh.
Mehdi Ismaili, banues në fshatin Gur i Zi, në Shkodër ankohet, se prej dy vjetësh është pa energji elektrike. Ai thotë, se ka aplikuar për matës, iu hap kontrata, por energjia nuk iu lidh, pasi kabina elektrike rezultoi private…Mehdiu ka shpenzuar rreth 2 milionë lekë, për të blerë vetë shtyllat dhe problemin e tij, e pohon edhe përfaqësuesi i OSHEE Shkodër, Ylber Mira, i cili thotë, se do t’i jepet zgjidhje e shpejtë…

Të Fundit