Sipas aktit normativ nga Ministria e Drejtësisë, qindra të burgosur, që përmbushnin kriteret, do të qëndronin 3 muaj në shtëpi në karantinë. Por edhe pse emrat dolën, disa prej tyre nuk mundën të dalin nga qelitë. Stop sjell 2 raste nga burgu i Fierit me këtë problematikë dhe një nga Tirana, nga burgu 302.Tre raste të tjera raportohen nga burgu i Rrogozhinës dhe familjarët e të burgosurve denoncojnë faktin, se të afërmit e tyre e kanë emrin në listën e daljes, por nuk u jepet leja.Edhe nga burgu i Fushë-Krujës konstatohet e njejta problemtikë. Drejtuesi i burgut të Rogozhinës dhe juristi i burgut të Fierit, nuk japin asnjë shpjegim, duke thënë se të dhënat janë sekret.Por gazetari i Stop komunikoi me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe komisionin e Apelimit dhe specialistja e kësaj strukture, u njoh me rastet, për të cilat do të merret një vendim.
Pas më shumë se një muaji, sot u mblodh sërish parlamenti shqiptar, për të votuar masat në kuadër të pandemisë së koronavirusit.Por seanca e sotme ishte shumë e pazakontë, pasi deputetët ishin ulur në distancë, në sallë, plate e llozha dhe nuk kishte prani të medias.Stop sjell krahasimin e kësaj seance parlamentare me disa nga seancat e nxehta, kur deputetët mblidheshin në foltore, duke mos lejuar zhvillimin normal të punimeve parlamentare.
Kryeministri Edi Rama deklaroi, se Qeveria do të japë për biznesin e vogël dyfishin e shumës së deklaruar në tatime. Në një komunikim me qytetarët në Facebook, shefi i qeverisë bëri me dije, se çdo kryefamiljar i vetëpunësuar, por edhe bashkëshortja e tij, do të marrin secili “pagën e luftës”.Formulari plotësohet online, ndërsa pagesa prej 26 mijë lekësh, derdhet menjëherë në bankë nga administrata. Tatimet mund të kryejnë kontrolle për të verifikuar, nëse biznesi është vërtet i mbyllur.Një përfaqësues anonim i një biznesi të vogël, tregon, se merret me prodhimin dhe shpërndarjen e kafesë. Me mbylljen e lokaleve, ai thotë, se ka mbetur pa punë, sepse është efekti i zinxhirit. Qytetari thotë, se në këtë biznes ka punuar familjarisht dhe nuk kanë burime të tjera.Ai ka aplikuar për pagën e luftës dhe është refuzuar.Sot kërkon një zgjidhje, pasi ka një muaj pa punë dhe nuk ka të ardhura as ai dhe as familjarët.