STOP-EMISIONI 158(Sezoni 10) 14 Prill 2025-Braktis familjen merr vajzen dhe e le pa shkolle, denoncimi i babait.

Jemi në Qukës të Prrenjasit, ku Ilirjan Çelniku, na tregon, që në dhjetor 2024 gruaja e tij Sabria, ikën nga shtëpia me të dashurin. Fillimisht ajo merr dhe dy fëmijët, por më pas Ilirjani arrin të marrë djalin. Tani vajza, që mbeti me të ëmën, ka humbur cdo kontakt dhe nuk shkon në shkollë prej 3 muajsh. Nga ana tjetër Ilirjani thotë, se është kërcënuar nga partneri i gruas, Lulzim Biçaku.Ne shkuam në Shkollën e mesme të bashkuar “Dilaver Nezha” në Qukës dhe drejtoresha Nertila Vasku na tha, se pas pushimeve të fundvitit, vajza nuk ka shkuar në shkollë.Në bashkinë Prrenjas, punonjësja e mbrojtjes së fëmijëve, Adriana Zoto, tha, se ky rast është referuar pranë zyrës në muajin janar. Sipas saj, vajza është larguar me nënën fillimisht në fshatin Qerrisht dhe pastaj janë shpërngulur për në Durrës.Psikologen e shkollës, që ka ndjekur rastin, Elisabeta Bardho, shpjegon, se në komunikimet, që ka patur, vajza 8 vjecare përgjigjet si e rritur. Ajo thotë, se nënë e bijë kanë pretenduar, që janë dhunuar, por një gjë e tillë, nuk faktohet.

Në mediat e huaja është publikuar lajmi, se kërkohen burra, që do të paguhen 4-5 mijë euro pa bërë asgjë. Puna e ëndrrave ofrohet nga Agjensia hapësinore europiane, që do të studiojnë efektet e fluturimeve hapësinore në organizëm. Gjithcka duhet të bëjnë fituesit e “punës”, është, që të jenë të relaksuar mbi dyshekë uji, të ushqehen e të shohin tv.

Ticiana Kushi, që jeton në Hawai në SHBA, denoncon prokurorinë dhe gjykatën e Beratit, pasi i kanë ngrirë llogaritë e një transaksioni, që ajo ka bërë në llogarinë e vjehrrit të saj. Historia ka nisur në Amerikë, ku cështja është në gjykim, por ortaku i saj shqiptar, Andi Jubani, e ka kallzuar për pastrim parash vjehrrin, për shkak të një transaksioni.Procesi në Amerikë është duke vazhduar, dhe Amerika nuk i ka prekur Ticianës asnjë llogari. Avokati Arben Llangozi e konsideron shkelje të rëndë, që vetëm me një kallzim të bëhen sekuestro.

Të Fundit