Gazetari i emisonit “Stop” Renaldo është ndalur në disa rrugë të kryeqytetit. Qytetarët i njohin rrugët me një emërtim, por zyrtarisht rruga ka një tjetër emërtim të miratuar nga Këshilli Bashkiak.
Renaldo pyet qytetarët nëse e dinë emërtimin e rrugës kur ndodhen, por përgjigjet e tyre janë kontradiktore.
Sheshi Wilson, rruga “Abdyl Frashëri” dhe “Sami Frashëri”:
Renaldo – E di si quhet ky sheshi këtu?
Qytetarja 1 – Wilson.
Qytetari 2 – Ne i themi stadiumi Dinamo.
Qytetarja 3 – Mund të orientohesh me sheshin Wilson.
Stadiumi “Selman Stërmasi”, rruga “Sulejman Delvina”:
Qytetari 1 – Ku e di unë. Ka dy emra kjo rruga këtu.
Qytetari 2 – Unë Dinamo e di se jam i vjetër. Këta të rinjtë e kanë “Selman Stërmasi”.
Sheshi “Mustafa Kemal Ataturk”:
Renaldo – Si quhet ky sheshi këtu?
Qytetarja 1 – Sheshi “21 Dhjetori”.
Qytetarja 2 – 21-sh, ja ku e ke mbrapa.
Renaldo – Tabela aty thotë: “Mustafa Kemal Ataturk”.
Qytetari 3 – Kryqëzimi i 21-shit.
Qytetari 4 – “21 Dhjetori”.
Renaldo – Shikoje sheshi “Mustafa Kemal Ataturk”.
Qytetari 4 – Nuk është e vërtetë. Ky është “21 Dhjetori”. Kam 50 vjet këtu!
Qytetari 5 – Ky quhet “21 Dhjetori”.
Renaldo – Po kjo tabela këtu? Si ta quajmë ne?
Qytetari 5 – Ajo është tjetër. Ja ku e ke aty me shkrim.
Renaldo – Ai “21-shi” aty është duke rënë, ndërsa kjo s’po bie.
Qytetari 5 – Kjo është më e saktë (sheshi “Mustafa Kemal Ataturk”) se 21-shi është i Stalinit.
Sheshi “Karl Topia”:
Renaldo – Si e ka emrin ky sheshi?
Qytetari 1 – “Zogu i Zi”.
Qytetari 2 – Ky e ka sheshi “Tallava”.
Qytetari 3 – “Zogu i Zi”.
Qytetari 4 – “Zogu i Zi”.
Renaldo – Po mua më thonë që ky e ka sheshi “Karl Topia”.
Qytetari 4 – Aha, nuk e di atë unë.
Qytetarja 5 – “Zogu i Zi”.
Qytetarja 6 – “Karl Topia”.
Qytetarja 5 – Nuk e dija.
Renaldo – Po kjo këtu? Shiko si e ka, “Rilindja”. Kjo qenkërka për qejfin e vet. Kush mund të jetë nga këto?
Qytetarja 6 – Në hartë është “Karl Topia”, këtë di.
Qytetari 7 – Pse tallesh me xhaxhin ti? Ky është sheshi “Zogu i Zi”.
Renaldo – Po ja tabela aty thotë sheshi “Karl Topia”.
Qytetari 7 – Eee… Po jam unë prapa pastaj. Po është “Karl Topia” është shumë i nderuar si emër. Lali Eri si të dojë le t’ia verë.
Renaldo u shpreh se shkoi për të parë emrat e shesheve dhe të rrugëve sesi orientohen qytetarët, por ndërkohë “u bë vetë çorap”. Ndaj për banorët e Tiranës e rëndësishme është të merren vesh nga vijnë dhe ku do shkojnë.