Jemi në Yrshek me historinë e një familjeje, që ka përçarë dy motra të moshuara përfundimisht. Fatbardha Mane akuzon motrën e saj, Lina Sali, për përvetësimin e pensionit për vite me radhë.E moshuara tregon, se rreth 10 vite më parë i kishte dhënë motrës një prokurë të posaçme për të tërhequr pensionin. Ajo pretendon, se gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka marrë pagesë të rregullt, përveç disa sendeve minimale, ndërsa vlera totale e pensionit të munguar, sipas saj, arrin në rreth 20 milionë lekë të vjetra.Dyshimet lindën, kur vajza e saj vuri re mungesën e të ardhurave. Rasti përfundoi në polici dhe më pas në prokurori, ku Fatbardha kërkoi edhe revokimin e prokurës. Sot, ajo e tërheq vetë pensionin prej 192 mijë lekësh, por kërkon drejtësi për vitet e humbura. Ne realizuam një përballje mes dy motrave, gjatë së cilës, deklaratat e Linës rezultuan kontradiktore. Ajo herë ka pretenduar, se kishte tërhequr pensionin për 5 vite, herë për 15 vite.Por në asnjë rast e moshuara nuk paraqiti dokumente apo prova konkrete.Debati mes motrave u tensionua deri në dhunë fizike, kur Lina goditi me shuplakë mbesën, që ndërhyri në konflikt.
Një qytetar ka ngritur shqetësimin e tij në emisionin “Stop”, duke denoncuar bllokimin e vazhdueshëm të derës së banesës nga makina të parkuara në mënyrë të paligjshme. Ai tregon, se ka telefonuar dhjetëra herë dhe ka dërguar mesazhe pranë institucioneve përgjegjëse, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Qytetari kërkon ndërhyrjen e autoriteteve për lirimin e hapësirës, pasi sic shprehet ai, nëse do të ishte halli i zyrtarëve, do të ishte zgjidhur menjëherë.
Në Tiranë, në Njësinë Administrative nr. 7, jeton Sokol Cakaj, një burrë i cili prej vitesh përballet me paralizë dhe vështirësi të mëdha ekonomike. Për të përballuar jetesën, ai kishte aplikuar për bonus qiraje pranë Bashkisë Tiranë, duke shpresuar, se kjo ndihmë, do t’i lehtësonte sadopak barrën mujore.Fillimisht, gjithçka dukej në rrugën e duhur. Por shumë shpejt, procedura nisi të zvarritej. Një ditë i kërkohej një vërtetim nga kadastra, një ditë tjetër një dokument shtesë për pronësinë e banesës nga qiradhënësi. Për tre muaj me radhë, Sokol Cakaj u detyrua ta paguante vetë qiranë.Për rastin e tij, gazetarja e “Stop” kontaktoi Bashkinë e Tiranës për të kërkuar shpjegime. Nga ana e institucionit u bë e ditur, se Drejtoria e Strehimit do të merrej me shqyrtimin e çështjes dhe do të ndërhynte për zgjidhjen e saj.




