Idris Korro është drejtuar në “Stop”, pasi tregon, se është njohur me qytetarin nga Berati Edi Spahiu, të cilit i ka thënë, për një debi ndaj Oshee-së, në masën 600 mijë lekë të vjetra. Edi Spahiu ia ka marrë përsipër ta zgjidhë këtë problem, kundrejt një pagese prej 170 mijë lekësh të vjetra. Pak kohë më vonë, Idrisi pa, që debia nuk ishte hequr. Nuk mjaftoi ky mashtrim, por Edi Spahiu, i mori dhe 500 mijë lekë, që t’i rregullonte kempin dhe 100 mijë lekë për rrugën, që do të vinte nga Berati në Tiranë. Kaloi kohë dhe asgjë nuk po zgjidhej, ndaj denoncuesi kërkoi paratë mbrapsht.Kërkoi ta takojë disa herë Edin, por ai ia shtynte me justifikime të ndryshme. Më pas ndërhyri gazetarja e “Stop” dhe Idrisi mundi të merrte paratë e tij.
Si sot 35 vjet më parë u shënua eksodi i parë i shqiptarëve, që canë dyert e ambasadave, e lanë vendin e tyre, në kërkim të lirisë dhe të një jete më të mirë. “Stop” sjell pamjet e rralla të 2 korrikut të vitit 1990, që duken si nga një epokë tjetër, në krahasim me pamjet, sesi shqiptarët e ambasadave kthehen tashmë për turizëm në atdhe.
Në redaksinë e emisionit “Stop” është paraqitur Ardian Rrapaj, i cili ka një problem prone në qytetin e Vlorës. Për truallin, që posedon prej vitesh dhe ka pasur certifikatë, pasi e ka blerë, kanë dalë disa pretendues. Prona, në vitin 2010 nuk është pranuar të regjistrohet nga kryeregjistruesi, pasi nuk përcaktohej origjina dhe më pas kadastra e Vlorës, e ka regjistruar në emër të palës tjetër. Për këtë arsye qytetari u drejtua në Gjykatën Administrative të Lushnjës.Prej dy vjetësh Ardiani thotë, se po zvarriten seancat, pasi i kërkohen nga gjyqtari të njejtat dokumenta, që i ka dorëzuar.Pasi shkoi grupi ynë i xhirimit, u mësua, se vendimi ishte zbardhur, por thjesht nuk ishte hedhur në sistem.