STOP-EMISIONI 138(Sezoni 11) 16 Mars 2026-Vete me parkinson, gruaja e verber, komshiu i kalb shtepine me ndertim pa leje

Në lagjen Haxhias në Elbasan, familja Ullorja iu drejtua redaksisë sonë për një problem, që kishte zgjatur prej vitesh me fqinjin, Enver Dollani. Sipas tyre, pasi kishte blerë apartamentin në katin e parë të pallatit, Dollani kishte bërë një ndërhyrje pa leje, duke mbyllur derën ekzistuese të hyrjes dhe duke nxjerrë hyrjen e re në sheshpushimin e pallatit, duke zënë një pjesë të hapësirës publike. Kjo shtesë, sipas familjes Ullorja, u ka shkaktuar edhe lagështirë në banesë, ndërsa ata pretendonin, se fqinji nuk i lejonte të ndërhynin, për të riparuar dëmet.Hysni Ullorja tregon, se për këtë rast ishte ankuar në disa institucione, përfshirë bashkinë, IMT dhe IKMT, të cilat kishin konstatuar shkeljen dhe i kishin vendosur Enver Dollanit një afat 5-ditor për prishjen e ndërtimit pa leje. Megjithatë, sipas tij, ndërhyrja nuk ishte kryer plotësisht, pasi muri ishte prishur pjesërisht dhe më pas ishte rindërtuar.Gazetarja kontaktoi drejtorin e IMT-së në Elbasan, Ardian Zabzuni, i cili premtoi verifikimin e rastit në terren. Inspektorët e IMT-së së bashku me drejtuesin e tyre, mbërritën në vendngjarje dhe konfirmuan, se bëhej fjalë për një ndërtim pa leje dhe për zënie të hapësirës publike. Ata deklaruan, se shtesa do të prishej sipas ligjit, ndërsa theksuan, se bashkia ka një projekt për prishjen e të gjitha ndërtimeve të paligjshme në zonë, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës me asfaltim dhe ndriçim.

Një video e mbërritur në redaksinë tonë tregon, sesi lihen dosjet dhe dokumentat përtokë në zyrën e gjendjes civile në lagjen “28 nëntori” në Elbasan.

Në fund të tetorit 2025 transmetuam problemin e studentëve të Fakultetit të Shkencave të Rehabilitimit në Universitetin e Sporteve të Tiranës. Ata treguan, se megjithëse kanë përfunduar studimet në degën “Fizioterapi Sportive”, nuk mund të licensohen, për të ushtruar profesionin e fizioterapistit pranë Urdhrit të Infermierit. Prej më shumë se një viti, janë sorollatur mes universitetit, ministrisë dhe urdhrit, pa asnjë zgjidhje konkrete.Rektori Agron Kasa tha, se programet janë të akredituara, por Urdhri i Infermierit nuk njeh titullin e tyre, ndaj studentët nuk lejohen të hyjnë në provimin e shtetit. Urdhri kërkon një amendim ligjor për njohjen e këtij programi.Specialisti i arsimit Albano Zhapaj, argumentoi, se programi i “Fizioterapisë Sportive” në Universitetin e Sporteve përputhet në mbi 90% me programin e fizioterapisë në Universitetin e Mjekësisë. 4 muaj më vonë rikthehemi në Universitetin e Sporteve me lajmin e mirë, që u bë amendimi i vkm-së, duke shtuar edhe këtë fakultet dhe duke hapur rrugën për të gjithë studentët, që kanë përfunduar, ose përfundojnë studimet në këtë universitet, për t’u licensuar. Vetë rektori Kasa, u shpreh i lumtur dhe falenderues për këtë zgjidhje.

Të Fundit