Në Korçë është ngritur shqetësimi për përzgjedhjen e bursave të nxënësve, pasi nga rreth 703 aplikime janë miratuar vetëm 280 kuota. Alket Piti është drejtuar në emisionin “Stop”, pasi vajza e tij, e diagnostikuar me autizëm dhe epilepsi, edhe pse ka përfituar bursë çdo vit, këtë herë ka mbetur jashtë skemës.Sipas tij, dokumentacioni është dorëzuar në shkollë dhe procesverbali është plotësuar nga mësuesja më 23 tetor, brenda afatit zyrtar. Megjithatë, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Mbështetëse për Arsimin dhe Çerdhet në bashki, i është komunikuar, se dokumentet janë paraqitur jashtë afatit.Drejtoresha e shkollës shprehet, se dokumentacioni është dërguar më 23 tetor, kur afati i fundit ka qenë 27 tetori, pasi fondi për bursat ishte miratuar me vonesë.Nga ana tjetër, në Ndërmarrjen e Shërbimeve Mbështetëse për Arsimin sqarojnë, se dokumentet kanë qenë brenda afatit, por për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe numrit të kufizuar të bursave, me vendim të Këshillit Bashkiak është vendosur, që përzgjedhja të bëhet sipas datës së dorëzimit të dokumentacionit.Në këtë mënyrë u përzgjodhën vetëm aplikimet e bëra deri më 17 tetor, ndërsa aplikantët e tjerë, edhe pse mund të kishin nevoja më të mëdha ekonomike apo sociale, mbetën pa bursë.
Një video, e dërguar në redaksinë tonë, tregon, se situata në oborrin e shkollës “Nazmi Rushiti” në Peshkopi është bërë shqetësuese. Oborri i shkollës është kthyer në parkim makinash, ndërsa pranë hyrjes së nxënësve shiten domate dhe kastraveca në furgonë, duke e kthyer hapësirën e shkollës në një treg të improvizuar, duke prishur qetësinë dhe duke krijuar një ambient të papërshtatshëm për nxënësit.Për këtë problem është bërë edhe ankesë në bashki, por deri tani nuk është dhënë asnjë zgjidhje.
Në redaksinë tonë është denoncuar një rast mashtrimi me eksportin e frutave nga Turqia drejt Shqipërisë. Qytetari Mariglen Halimi tregon, se në Facebook, ka gjetur një faqe me emrin “Nikea Farm”, e cila pretendonte, se merrej me eksportin e shegëve nga Turqia në Shqipëri.Pas komunikimeve, palët ranë dakord për eksportin e 22 tonëne shegë, ndërsa pagesa fillestare e kërkuar, ishte 8750 euro. Sipas qytetarit, kjo shumë u pagua, por porosia nuk u realizua dhe mallrat nuk mbërritën kurrë.Pas disa kërkesave për sqarim, nga ana tjetër i është premtuar, se paratë do të ktheheshin. Por pas disa muajsh, qytetari nuk ka marrë as mallin dhe as paratë.Gazetarët e emisionit tentuan të kontaktojnë palën tjetër, por nuk morën asnjë përgjigje. Ndërkohë, nga Ambasada e Turqisë është bërë me dije, se qytetari mund të ndihmohet në bashkëpunim me institucionet në Turqi, përfshirë Ministrinë e Drejtësisë në Turqi, por vetëm pasi të ketë bërë kallëzim dhe të ekzistojë një vendim gjykate, që vërteton mashtrimin.



