Ylli Hoxhaj nga Fieri, ankohet, se familja e xhaxhait të tij i ka thyer 38 fidanë ullinj. Shkak është bërë një konflkt për pronësinë e një are në fshatin Drizë. Ylli përfaqëson motrën e tij, e cila është pajisur me certifikatë pronësie në vitin 2023 për këtë pronë. Por, nusja e xhaxhait, Zyrako dhe e bija Elena, nuk e pranojnë këtë gjë.Madje nënë Zyrako, e ka paditur Yllin për pushtim toke dhe vetëgjyqësi, por gjykata e ka rrëzuar padinë, duke i dhënë të drejtë Yllit. Edhe administratori i Njësisë Qendër pohon, se Ylli është në të drejtën e tij të ligjshme, ndërsa nënë Zyrako duhet të aplikojë për saktësimin e kufirit, gjë që nuk e ka bërë.Konflikti është tejet i nxehtë, në kufijtë e vetgjyqësisë.
Lida Vllahu, një denoncuese nga Kavaja, thotë, se përfaqëson 4 familjet Vllahu, që janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ajo tregon, se u sistemua te kunati, meqe shtëpia i doli e pabanueshme me DS5 dhe u mor vendimi për prishje. 4 familjet u sistemuan diku tjetër, deri sa të ndërtoheshin banesat. Por prej 5 vjetësh nuk ka fonde as për ndërtim e as për qira.Për këtë rast, Stop iu drejtua Drejtorisë Ligjore në bashkinë e Kavajës, ku drejtori, Ardian Malaj thotë, se për shtëpinë, ku jetonin 4 familjet, u caktua një fond prej 120 milionë lekësh. Por miratimi i këtij fondi nuk ka ardhur. Përsa i takon bonusit të qirasë, në fillim trajtohej nga qeveria e më pas u kaloi bashkive, por sipas Malajt, këto të fundit, nuk kanë një buxhet për bonus.
Një grua e ka parë veten të fundosur në një gropë, sapo ka hyrë në një lokal. Gropa ishte lënë pa dashje e hapur nga punonjësit, që po sistemonin objektet.Një pasagjer i një avioni, ka ngecur në banjon e mjetit fluturues dhe ka mundur të dalë që aty, vetëm pas ndërhyrjes së pilotit, që shqeu derën e tualetit.