STOP – EMISIONI 129 (SEZONI 2)

Tiranë, nga vijat e bardha deri te tabelat, sa shumë konfuzion…
Një banor i Zharrëzës sjell në Stop, video nga shtëpia e tij, e dëmtuar nga shpërthimet e “Bankers Petrolium”.Sinjalistika në Tiranë, në shumë rrugë është e gabuar. Në disa segmente i jepet përparësi edhe këmbësorit edhe shoferit. Në disa të tjera, tabelat janë shumë konfuze.Punëtorët, që punojnë në sheshin “Avni Rustemi” janë në kushte pasigurie. Ata ngjiten në lartësi, duke imituar macet…?!

Kamera e fshehtë, sa blihet shërbimi shëndetësor në spitalet “ e rilindur”.
Ilir Shani është një kirurg në Durrës, i cili “për koicidencë” ka edhe një klinikë private ngjitur me spitalin shtetëror. Në orarin e punës, më së shumti Shani gjendet në biznesin e tij privat, ku kryen ndërhyrje me tarifa “të kripura”. Pasdite, ose kur i del koha, mund të vizitojë pacientët në spitalin publik. Ndërsa në Spitalin “Shefqet Ndroqi” , i njohur si sanatoriumi, kamera e fshehtë e “Stop”, ka faktuar me zë e figurë, sesi shefi i kirurgjisë torakale Fatmir Caushi, merr nga të afërmit e një pacienti, plot 600 mijë lekë të vjetra, për një ndërhyrje.Gjithcka në emër të shëndetësisë falas…?!

Kronikë më e plotë:

Ilir Shani është një mjek kirurg në Durrës, i cili “për koiçidencë” ka edhe një klinikë private ngjitur me spitalin shtetëror. Në orarin e punës, më së shumti Shani gjendet në biznesin e tij privat, ku kryen ndërhyrje me tarifa “të kripura”. Pasdite ose kur i del koha, mund të vizitojë pacientët në spitalin publik. Emisioni “STOP” na e sjell këtë vëzhgim nëpërmjet kamerës së fshehtë.

Qytetarja – Më fal të të bëj një pyetje, Kirurgjia ku është?
Qytetari – Kirurgjia?
Qytetarja – Po
Qytetari – Këtu…
Qytetarja – Një doktor Ilir Shani, i mirë është?
Qytetari – Ë, Ilir Shani… Ai që ka atë klinikën private?
Qytetarja – Ku e ka klinikën?
Qytetari – E ka mbrapa spitalit.
Qytetarja – Po aty çfarë bën tek klinika?
Qytetari – Çfarë të dojë.
Qytetarja – Bën edhe operacione them apo jo?
Qytetari – Po, po privat. Bën edhe këtu te spitali, bën edhe atje. Po të kesh lekë i bën atje (Klinika Shani), po s’pate lekë i bën këtu. (Kirurgjia e Spitalit Durrës)
Qytetarja – Më falni! Si jeni? Ku e ka dhomën doktor Ilir Shani?
Infermierja – Ilir Shani në katin e dytë, lart.
Qytetarja – O goca! Më fal, të të pyes! Doktor Ilir Shani, ku e ka dhomën, zyrën?
Infermierja – A Ilir Shani… Tek Kirurgjia këtu, po hajde se andej po shkojmë edhe ne. Nuk e dimë a është aty, ose do të jetë në klinikën e vet.
Qytetarja – Po nëqoftëse s’e gjej?
Infermierja – Nëqoftëse s’e gjen këtu, mund ta gjesh tek klinika e vet.
Qytetarja – Po ku e ka klinikën?
Infermierja – Klinikën e ka ngjitur me maternitetin.
Infermierja – Këtu i kanë zyrat ata.
Qytetarja – Doktor Ilir Shani ndodhet këtu?
Infermierja – Mos është në sallë…
Infermierja – Është në operacion.
Infermierja – Ose mos është tek klinika e vet.
Qytetarja – Ku e ka klinikën?
Infermierja – E ka andej nga materniteti.
Qytetarja – Përballë maternitetit?
Infermierja – Anash maternitetit.

Më pas, kamera e fshehtë e emisionit “STOP” shkon drejt klinikës private të Ilir Shanit, pasi në Kirurgjinë Rajonale të Durrësit nuk ishte i pranishëm.

Qytetarja – Doktor Ilirin e takoj?
Infermierja – Doktori është në operacion për momentin.
Qytetarja – Është këtu? Por për sa del?
Infermierja – Për ja një orë.
Qytetarja – Brenda orës. Duhet të lë takim, si funksionon?
Infermierja – Tani për paradite nuk di çfarë të them. Pasdite po, e ke të sigurtë për vizitat, sepse ka operacione edhe në spital sot.
Qytetarja – Ku në spital? Po, a është në operacion tani?
Infermierja – Po mirë pra, pas këtij operacioni ka dhe operacionin tjetër në spital.
Qytetarja – Në spital, këtu te shteti?
Infermierja – Po, po, po. Kështu që pasdite e ke këtu. Tre me gjashtë e ke këtu.
Qytetarja – Mirë, faleminderit!
Qytetarja – Konsulta sa kushton?
Infermierja – 5 000 lekë të vjetra.

Ndërsa në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” i njohur ndryshe si Sanatoriumi këtu në Tiranë, kamera e fshehtë e “STOP” ka faktuar me zë dhe figurë, sesi shefi i kirurgjisë torakale Fatmir Caushi merr nga të afërmit e një pacienti plot 600 mijë lekë të vjetra, për një ndërhyrje. I gjithë ky “shërbim” në emër të shëndetësisë falas.

Doktori – S’më prite dot ë?
Qytetari – Jam në punë, prandaj se jam në punë tani.
Doktori – Mirë, është shumë më mirë. Duket sikur është zgjidhur. Po ta shikosh nuk ka lidhje ai kavanozi këtu që…  Luti, hajde këtu!
Doktori – Çfarë detyre ke ti, të shohësh grafi aty?
Infermierja – Po se e kishit lampuar të sëmurin, prandaj.
Doktori – Edhe?!
Doktori – Kollitu pak!
Doktori – Shumë mirë! Do i blesh një tollumbace, hajde të të jap edhe një kështu.
Infermierja – E do aspirinë këtu apo jo?
Doktori – Po, verja sot një aspirinë.
Qytetari – Domethënë në syrin tënd është në rregull?
Doktori – Për syrin tim është mirë. Shpresojmë që realisht të zgjidhet mos të kemi probleme, pa vajtur tek Kirurgjia.
Doktori – Atëherë tek kjo farmacia që duket këtu poshtë nga ballkoni, merri këto ilaçet e jepja atij që t’i filloj. Mirë?
Qytetari – Tani, për ato (lekët) si e lamë dje tani?
Doktori – Këtu përjashta! Merre atë recetën!
Doktori – Si ta kesh ti terezinë tënde, mua më dëgjove njëherë ta thashë.
Qytetari – Si? Aq sa e lamë?
Doktori – Po
Doktori – S’është nevoja të bësh atë punë.
Qytetari – E kuptoj, duhet të jesh dhe ti në rregull.
Doktori – Rrofsh, faleminderit! Më vjen keq!

Qytetarja – Më fal! Ju jeni doktor Fatmiri?
Doktori – Po
Qytetarja – Nusja e X… jam.
Doktori – Ëëë po.
Doktori – Të sollën kastile.
Qytetarja – Jo, s’ka problem.
Qytetarja – Ideja është që unë do doja të të pyesja si do të vazhdojë gjendja? Do kemi më kështu (probleme)? Kur ta sjellim për kontroll?
Doktori – Po, i thashë që për dy javë do të vijë për rikontroll. Të marri atë mjekimin që i kam dhënë. Ato penjtë hiqen dy javë nga dita e operacionit. Ato janë të vogla me një ankerplas.
Qytetarja – Se ngaqë u bë dy herë operacion dhe…
Doktori – S’ka gjë! S’është bërë dy herë operacion. E ke marrë vesh gabim.
Qytetarja – Po herën e parë që bëri një tub, çfarë ishte?
Doktori – Herën e parë ishte një tjetër gjë dhe tani s’i kthehemi dot më asaj historie se jam lodhur.
Qytetarja – Po, s’ke faj!
Doktori – Jo! E kam thënë dhe çudi si s’ta ka thënë burri. Nuk është bërë e njëjta gjë.
Qytetarja – Gjithmonë ata me atë…
Doktori – Jo! Besoj që ai e di tani. Nëqoftëse nuk e di, më vjen keq pastaj. Unë ia kam shpjeguar. Hera e parë nuk ka qenë operacion, ka qenë vendosje drene dhe ishte zgjidhja për herë të parë është këtu në këtë mënyrë.
Qytetarja – Këtu ke 300 (mijë lekë të vjetra)
Doktori – Të lutem! Rrofsh, faleminderit!
Qytetarja – Siç ke folur me burrin. Dhe 300 – shen e parë.
Qytetarja – Gjithë të mirat! Mirë u takofshim!
Doktori – S’ke ndonjë kamera kështu duke i filmuar?
Qytetarja – Ua?! Çfarë është kjo?! Gjithë të mirat! Faleminderit!

Denoncimi i tregtarëve pranë spitalit nr.5: na hoqën me dhunë.
Tregtarët , që shisnin pranë spitalit nr. 5 në kryeqytet, janë hequr mbrëmë prej aty, dhe në vend kanë hyrë fadromat, për të prishur tezgat. Ata thonë, se janë përplasur me policinë bashkiake, pasi nuk ishin njoftuar më parë dhe i kanë dëmtuar mallin. Arsion Rakipi ankohet në “Stop”, se gjatë një kontrolli rutinë, e kanë shoqëruar në komisariatin numër 4, ku e kanë dhunuar fizikisht. Ai thotë, se ky nuk është rasti i parë i ushtrimit të dhunës nga ky komisariat policie.

Të Fundit