Në Librazhd, në Lagjen nr. 2, Elton Rruplli prej 11 vitesh përballet me një problem të vazhdueshëm, tymin, që i vjen nga oxhakët e fqinjëve, Shefki Bahiti dhe Liza Blloshmi. Eltoni tregon, se për këtë arsye, nuk mund të hapë as dritaret e tij. Sipas Eltonit, oxhakët janë nën parametrat teknikë, më pak se një metër të lartë. Ai thotë, se u përpoq ta zgjidhte me mirëkuptim këtë problem, madje ofroi të paguante vetë zgjatjen e tubave, por nuk gjeti dakordësi. Ankesat në Bashki dhe Policinë Bashkiake mbetën pa zgjidhje.Pas ndërhyrjes së gazetares së emisionit “Stop”, njëra familje pranoi të ndërhynte, ndërsa Bashkia, me mbështetjen e kryetarit Maringlen Disha, ngriti një grup pune në terren. Dy familjeve iu la afat 1 javë për rregullimin e oxhakëve sipas standardeve.Në fund, Elton Rruplli falënderoi publikisht “Stop”, duke theksuar, se një problem 11-vjeçar mori zgjidhje brenda pak ditësh.
Janë të shumta videot, që mbërrijnë në redaksinë tonë, me anë të të cilave qytetarët tregojnë, se janë ndjekës besnikë të emisionit “Stop”. Por kjo video, e sjellë nga një fans i programit, tregon, se ndjekësit tanë i kanë kaluar kufijtë normalë.
Në Shkodër, Cesk Sogjaj i është drejtuar redaksisë sonë, pasi pretendon, se është mashtruar për një leje ndërtimi nga Muharrem Shabaj.Sipas Ceskut, rreth 5 vite më parë ai i ka dhënë Muharremit 5 milionë e 100 mijë lekë të vjetra, që ky i fundit t’i siguronte lejen për rindërtimin e shtëpisë. Ceskut i ishte thënë, se duheshin pagesa të ndryshme për procedurat, por më vonë ai zbuloi, se procesi për lejen ishte bllokuar dhe se asnjë shumë nuk ishte paguar në institucionet përkatëse. Paratë, sipas tij, ishin mbajtur nga vetë Muharremi.Prej vitesh, Cesku është përpjekur ta kontaktojë, për t’i marrë mbrapsht shumën, por është përballur me heshtje dhe premtime të pambajtura. Gazetarja shkoi në banesën e Muharrem Shabajt, por ai nuk ndodhej dhe bashkëshortja tha, se nuk e dinte, se ku ishte i shoqi. Përmes telefonit të saj, realizuam një komunikim të shkurtër me Muharremin, i cili deklaroi, se ndodhej jashtë Shqipërisë dhe kundërshtoi praninë e gazetares.Në këto kushte, Cesku iu drejtua Komisariatit të Policisë në Shkodër, ku depozitoi kallëzim penal për mashtrim.



