STOP-EMISIONI 121(Sezoni 11) 19 Shkurt 2026-Pret 5 vjet certifikaten e shtepise, ndertuesi i kthen parate e zgjidh hipoteken

Në Tiranë, 74-vjeçarja Hajrie Ciku denoncoi zvarritjen pesëvjeçare për pajisjen me certifikatën e pronësisë së apartamentit të saj. Ajo tregon se kishte lidhur kontratë me ndërtuesin Refik Halili, të cilit i kishte dhënë 1 milionë lekë të vjetra për të kryer kalimin e pronësisë nga emri i tij në emrin e saj.Sipas zonjës Ciku, megjithëse kishte paguar shumën dhe kishte dorëzuar dokumentacionin, certifikata e pronësisë nuk po dilte prej pesë vitesh. Në përballjen me ndërtuesin, ky i fundit pretendoi se pallati ishte hipotekuar dhe se shkëmbimi i pronës ishte kryer me noteri, duke i kërkuar qytetares të paraqitej vetë pranë hipotekës për regjistrimin.Pas interesimit të emisionit, situata mori zgjidhje: ndërtuesi i ktheu shumën e paguar zonjës Ciku dhe ajo u pajis me certifikatën e pronësisë, duke mbyllur një kalvar pesëvjeçar sorollatjesh dhe pritjeje.

Deputetja Zegjine Çaushi u përplas sot në parlament me deputetin Gazment Bardhi. Fjalët e saj shkaktuan reagime dhe tension në sallë, ndërsa debati mori tone personale.Në vijim, Jozefina Topalli ndërhyri duke bërë një krahasim me vitet e saj të para në politikë. Ajo kujtoi kohën, kur në radhët e Partisë Socialiste ishin figura si Fatos Nano dhe Servet Pëllumbi, duke theksuar se nuk do ta kishte imagjinuar, që niveli i figurave socialiste do të degradonte te Zegjineja. Por kjo e fundit iu kthye edhe Topallit, duke i thënë, se e riktheu Berisha, pasi Lulzim Basha e nxorri për zhelesh nga politika e parlamenti.

Në Kamëz, qytetarja Maria Milloshi denoncon një problem disa vjeçar me OSHEE. Sipas saj, institucioni i ka kërkuar familjes së saj të paguajë rreth 6 milionë lekë për periudhën 2007–2010, ndonëse në atë kohë nuk ka ekzistuar as kontratë e rregullt furnizimi me energji elektrike dhe as matës i instaluar në emër të babait të saj.Pas ndjekjes së çështjes në gjykatë, u provua, se kontrata nuk i përkiste babait të saj dhe, me vendim gjyqësor, OSHEE u detyrua të fshijë detyrimet e energjisë elektrike. Familja mendoi, se problemi mori fund me ekzekutimin e këtij vendimi.Megjithatë, Maria thotë, se OSHEE vijon të mbajë aktive dhe të kërkojë pagesën e detyrimeve të mirëmbajtjes, pavarësisht, se gjykata ka konstatuar mungesën e një kontrate të vlefshme. Ajo shprehet, se kërkesa për pagesë vazhdon edhe sot, duke e konsideruar situatën të padrejtë dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatës.

Të Fundit