Shën Valentin në Tiranë, por miting dhe incidente në Kavajë.
Në ditën e Shën Valentinit qytetarët e Tiranës dhe rrethinave vërshuan nëpër rrugë e bare për festën e të dashuruarve. Në atmosferë u përfshi edhe kryebashkiaku Veliaj, i cili edhe pse në organizim, tregoi edhe mbi festën e tij.Një ditë më parë një miting i PD-së në qytetin e Kavajës, u shndërrua në përplasje fizike mes një qytetari, që mbronte Elvis Rroshin dhe mbështetësve të opozitës, që nuk e “përballuan” dot këtë situatë…?!
Historia e mashtrimit nga avokati dhe drama sociale e të moshuarve në Divjakë.
“Stop” ka udhëtuar në Goricaj të Divjakës për një rast të pazakontë. E moshuara Vangjelina Stambollxhiu i ka dhënë avokatit Perlat Kocillari 25 milionë lekë të vjetra, për t’i nxjerrë djalin nga burgu. Por avokati mashtrues, as djalin nuk e liron dhe as paratë nuk ia kthen. Në këtë moment për Vangjelinën nis një kalvar ligjor, por edhe një dramë sociale. I shoqi e përze nga shtëpia, pasi mëson, se paratë për avokatin janë përfituar nga shitja e tokës, pa lejen e tij. Gazetari i “Stop” arrin, pas përpjekjeve, të pajtojë dy të moshuarit.
Kronikë më e zgjeruar:
Grupi i xhirimit i emisionit “STOP” ka udhëtuar në Goricaj të Divjakës për një rast të pazakontë. E moshuara Vangjelina Stambollxhiu i ka dhënë avokatit Perlat Koçillari 25 milionë lekë të vjetra, për t’i nxjerrë djalin nga burgu. Por avokati e mashtroi duke i marrë paratë e duke mos i liruar as djalin. Pikërisht në këtë moment për Vangjelinën nis një kalvar ligjor, por edhe një dramë sociale.
“Kam pasur nevojë për një avokat për mbrojtjen e djalit se kishte probleme ligjore. Në vitin 2009, dy të njohurit tanë më sugjeruan një avokat që quhet Perlat Koçillari. Kur më kërkoi lekë, më kërkoi një shumë të madhe.
Sa ju kërkoi?
Si fillim më tha rreth 70 milion lekë. Unë i thashë ku t’i gjej unë këto lekë dhe më tha që shit çfarë të kesh, dyqane, shtëpi, toka çfarë të kesh. Pastaj u detyrova pa e pyetur as burrin shita pronën në vlerën e 27 milion lekë. Ndërkohë 25 milion lekë ia kam dhënë kokërr më kokërr avokatit.
Ju nuk morët asnjëlloj dokumentacioni që vërteton që ju i keni dhënë shumë e parave avokatit Koçillari?
As prokurën që kam marrë avokat, sepse me idenë që do t’i sillte ai të nesërmen. U detyrova dhe bëra edhe një prokurë që ia kam dhënë këto lekë borxh, sepse nuk më kishte dhënë 4 vjet as prokurë si avokat, as prokurë që më ka marrë kaq lekë.
Pas 4 vjetësh ju bëni një prokurë sikur ia jepni këtij zotërie lekët borxh. Çfarë lidhje keni më këtë avokat?
Nuk kam asnjëlloj lidhje, vetëm për mbrojtjen e djalit. Këtë prokurë e kam bërë në 10 Qershor të 2014, duke më thënë edhe djali, që të paktën të kemi një prokurë që na i ka marrë këto para, sepse mund të mohojë edhe këtë. U detyrova e bëra prokurën për katër muaj afatin.
Pasi e çuat çështjen në Krimin Ekonomik çfarë u arrit? Pse nuk u kthyen lekët?
Premtoi që do më jepte 30 metra katrorë dyqan në Durrës, tek pallati që kishte ndërtuar, ose këto ishin si garanci që gjoja të isha bashkëpronare me të. Unë këtë e kisha më shumë si garanci. Më pas bëra ankim në Prokurorinë e Rrethit të Tiranës dhe atje u hetua, ku sërish ishte në favorin e tij dhe fajtore isha unë.
U mbyll çështja?
U mbyll çështja dhe unë më pas kam bërë ankim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Më pas shkova në një avokat tjetër në Tiranë për t’i kërkuar ndihmë për Perlat Koçcillarin. Dhe këtu fitova, që ai duhet të më kthejë paratë dhe jam gjykuar nga Ervin Pollozhani. Më ka lidhur avokati me një përmbaruese, e cila më thotë se nuk kemi se çfarë t’i marrim, pasi nuk ka pasuri të regjistruara në emrin e vet.”
Sikur të mos i mjaftonte mashtrimi nga avokati Koçillari, në shtëpi nuk e pranon as i shoqi. Ai e përze nga shtëpia, pasi mëson se paratë për avokatin janë përfituar nga shitja e tokës, pa lejen e tij. Gazetari i “STOP” arrin pas përpjekjeve, të pajtojë dy të moshuarit.
Mua nuk më pranon as burri në shtëpi.
Për çfarë arsye?
Që prej kësaj historie me Perlat Koçilarin.
Nuk ju pranon në shtëpi?
E fundit është përzënia nga shtëpia.
Po ku flini?
Tek kunatat, te motra, vëllai, tek të gjithë.
Sa kohë keni që vazhdoni kështu?
Pothuajse dy vjet.
A e provojmë sot që të shkojmë në shtëpinë tënde dhe t’i themi bashkëshortit tuaj që t’iu pranojë në shtëpi?
Shkojmë!
Si je? Ne nuk na njeh po zonjën e njeh!
Burri i Vangjelinës: Të kam thënë nuk vjen më këtu ti. Këta do t’i marr unë.
Sa vjeç je?
Burri i Vangjelinës: 70 – vjeç, jam pensionist. Ajo nuk më pyeti, më mori tokën për gjysmë çmimi.
Ndërkohë në lidhje telefonike, i biri që është në burg kërkon ndihmë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që i ka shkatërruar jetën dhe i ka ndarë edhe prindërit.
Si ta thotë zemra?
Burri i Vangjelinës: Meqenëse m’u lutët kaq shumë, me mundim do ta jap fjalën.
Fatura të fryra për ujë pusi në Durrës, Tregu i rrezikshëm në Tiranë.
Banorët e pallatit “Tocak” në Durrës prej 10-vjetësh furnizohen me ujë pusi, pasi nga ujësjellësi, u vjen vetëm 3 orë ujë në ditë.Megjithatë ata paguajnë për ujin e pusit, që kalon në të njejtën linjë me atë të ujësjellësit.Uji është i ndotur, ndërsa sahatët thuajse të palexueshëm.Ish-tregu i fruta-perimeve pranë lagjes “21 dhjetori”, është një godinë e vjetër drejt shembjes. Masa e vetme, që ka marrë bashkia, është tabela “kujdes, rrezik shembjeje”…?!