STOP-EMISIONI 111(Sezoni 11) 5 Shkurt 2026-12 vite pritje, pronaret e truallit mbeten ne rruge, ndertuesi zhduket

Në zemër të Tiranës, disa familje që prej vitit 2014 mbeten pa apartamentet e premtuara, pasi ndërtuesi, me të cilin kishin lidhur marrëveshje, është zhdukur pa lënë gjurmë.Gjyli Tufa tregon, se në vitin 2014 ajo dhe familjarët e saj i dhanë truallin dhe banesën shoqërisë “Konuda Alfa” shpk, me administrator Nani Kolovani, për ndërtimin e një pallati. Marrëveshja parashikonte, që pronarët e truallit të përfitonin apartamente në objektin e ri dhe pagesë qiraje gjatë kohës së ndërtimit.Por 12 vite më vonë, familjet nuk kanë marrë asnjë apartament. Ndërtimi është lënë përgjysmë, qiraja nuk është paguar prej tre vitesh dhe ndërtuesi nuk përgjigjet më. Nga verifikimi në terren, pallati rezulton i papërfunduar, ndërsa disa nga familjet janë detyruar të kryejnë vetë punimet minimale për të jetuar. Sipas tyre, të gjitha hyrjet janë shitur, ndërkohë që pronarët e truallit kanë mbetur jashtë, pa prona dhe pa kompensim.Në përpjekje për të gjetur administratorin Nani Kolovani, rezulton, se në NIPT-in e kompanisë adresa e zyrës figuron te vetë pallati, por aty nuk ekziston asnjë zyrë. Numri i telefonit i deklaruar i përket një zyre kontabiliteti, që ka bashkëpunuar më parë me firmën. Ndërtuesi është zhdukur, duke lënë pas familje të pastreha dhe një pallat fantazmë në qendër të kryeqytetit.

Gjatë një konference për shtyp, presidenti amerikan Donald Trump reagoi ashpër ndaj një pyetjeje të bërë nga një gazetare e CNN, lidhur me skandalin Epstein. Në vend, që t’i përgjigjej pyetjes, Trump kaloi në sulm personal, duke e ofenduar gazetaren dhe median, që ajo përfaqësonte.Ai e quajti gazetaren “të keqe” dhe deklaroi, se CNN duhet të turpërohet për të. Trump shtoi, se e njeh prej vitesh gazetaren, e cila sipas tij, nuk qesh kurrë.

Në vitin 2019, emisioni zbuluam manipulimin e një tenderi për dezinsektimin e Bregdetit të Shqipërisë, i cili u anulua pas publikimit. Megjithatë, në vitin 2020 shërbimi u tenderua sërish dhe fitues u shpall kompania NRG, në pronësi të një shtetasi italian. Për periudhën 2020–2021, NRG përfitoi rreth 1.3 milionë euro për dezinsektimin e gjithë bregdetit shqiptar, ndërsa në vitin 2022 fitoi edhe një tender tjetër në Bashkinë Divjakë me vlerë 120 mijë euro. Në total, brenda tre vitesh, kompania mori rreth 1.4 milionë euro fonde publike për të njëjtin shërbim.Investigimi i “Stop”ngriti dyshime serioze mbi kryerjen reale të dezinsektimit. Sipas rregullave dhe kontratave, për këto shërbime duhej të përdoreshin biocide të caktuara, të cilat importohen në Shqipëri vetëm nga NRG. Të dhënat zyrtare të Doganave tregojnë, se nga viti 2019 deri në 2023 kompania ka importuar vetëm 5,267 kg biocid, ndërkohë që vetëm për kontratat e Bregdetit dhe Divjakës parashikohej përdorimi i mbi 16 mijë kg.Kjo krijon një mungesë prej rreth 10,869 kg biocid, që sipas ekspertëve, nuk mund të justifikohet. “Stop” zbuloi gjithashtu, se NRG kishte pasur probleme të ngjashme edhe më parë. Në vitin 2015, ISHP kërkoi kthimin e fondeve për mospërmbushje kontrate, por çështja u mbyll në favor të kompanisë në gjykatë.Në emër të interesit publik, emisioni STOP dhe juristi Arben Llangozi kanë depozituar një kallëzim penal në SPAK, duke kërkuar hetim për abuzim me fondet publike dhe rrezikim të shëndetit publik.

Të Fundit