STOP-EMISIONI 110(Sezoni 11) 4 Shkurt 2026-Skandal mjedisor ne mes te Tiranes, inertet hidhen ne Lane e shesh pallat

Një video, e mbërritur në redaksinë e emisionit “Stop”, denoncoi hedhjen e paligjshme të mbetjeve inerte në zonën e ish-fushës së aviacionit në Tiranë. Pamjet tregojnë punonjës të kontraktuar, që derdhin thasë me inerte nga mjetet e tyre, duke krijuar pirgje mbetjesh në mes të territorit.Pas verifikimit në terren, u konstatua, se zona ishte e mbuluar nga mbetje ndërtimi dhe të tjera, duke shkaktuar ndotje të rëndë mjedisore. Pas njoftimit nga “Stop”, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake ndërhynë, kryen verifikime dhe siguruan prova.Si rezultat, u identifikuan tre shtetas, të cilët u vunë përpara përgjegjësisë penale. Materialet u referuan në Prokurori, ndërsa ndaj tyre u vendos masë gjobe. Paralelisht, Drejtoria e Pastrimit e Bashkisë së Tiranës nisi pastrimin e territorit dhe largimin e mbetjeve.

Një video me disa fëmijë kopshti në Kinë, është kthyer menjëherë në virale. Në filmim, fëmijët, përmes lojës së strukturuar, zhvillojnë aftësitë koordinuese, balancën dhe disiplinën, duke e kthyer argëtimin edhe në proces mësimor.

Vladimir Strati, emigrant prej 30 vitesh në Greqi, investoi kursimet e jetës për të ndërtuar në vitin 2014 një vilë dy-katëshe në Korçë, me vlerë rreth 100 mijë euro. Një vit më pas, zgjerimi i rrugës “Gjon Buzuku” nga Bashkia Korçë, i preku gjysmën e banesës.Në vitin 2015, Strati arriti një marrëveshje me Bashkinë, për të modifikuar vetë pjesën e mbetur të shtëpisë, ndërsa për pjesën e zënë nga projekti u dëmshpërblye me 16 milionë lekë të vjetra. Por tani, prej 10 vitesh, familja Strati nuk pajiset me certifikatën e pronësisë për gjysmën e banesës, që ka mbetur. Pas një ankese zyrtare, ASHK Korçë lëshoi lejen e legalizimit, por refuzon certifikatën, pasi nga Bashkia Korçë është dërguar një shkresë, ku deklarohet, se familja është shpronësuar totalisht me vlerën 56 milionë lekë.Strati provon me dokumente bankare dhe marrëveshjen zyrtare, se ka marrë vetëm 16 milionë lekë të vjetra dhe se gjysma e shtëpisë ekziston ende, pa u prekur nga projekti.Ne u interesuam në Bashkinë Korçë, ku kryetari Sotiraq Filo pranoi, se çështja lidhet me një gabim në VKM-në e vitit 2015, ku prona e familjes është pasqyruar si e prishur plotësisht. Sipas tij, Bashkia do të kërkojë korrigjimin e këtij vendimi nëpërmjet Këshillit Bashkiak dhe Drejtorisë së Shpronësimeve.Por nga Drejtoria e Shpronësimeve bëhet e ditur se VKM-ja e vitit 2015 nuk mund të ndryshohet, pasi për projektin janë konstatuar shkelje serioze nga Bashkia Korçë. Pas një kalvari 10-vjeçar, Vladimir Stratit nuk i mbetet tjetër rrugë veçse t’i drejtohet Gjykatës, për të detyruar Kadastrën, të regjistrojë pronën dhe Bashkinë Korçë, të dëmshpërblejë dëmin e shkaktuar ndër vite.

Të Fundit