STOP-EMISIONI 104(Sezoni 11) 27 Janar 2026-Pamjet e aksidentit fatal, qe i mori jeten 71 vjecares, shoferi lihet i lire.

Më 27 dhjetor 2025, në Durrës, një aksident rrugor i filmuar nga kamerat e sigurisë, i mori jetën një gruaje 71-vjeçare. Nga pamjet rezulton, se drejtuesi 24-vjeçar i automjetit kthehet mbrapsht me shpejtësi dhe e përplas të moshuarën. Fëmijët e viktimës e bënë publike ngjarjen, për shkak të masës së lehtë të sigurisë ndaj autorit, i cili qëndroi vetëm dy ditë në paraburgim dhe më pas u la me “detyrim paraqitjeje”.Emisioni “Stop” siguroi pamjet e aksidentit dhe dëshminë e djalit të viktimës, që ishte dhe dëshmitar okular. Prokurori i çështjes, Sokol Nishani, fillimisht e klasifikoi ngjarjen si “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe kërkoi “arrest shtëpie”, por Gjykata e ndryshoi masën në “detyrim paraqitjeje”, pasi viktima në atë moment ishte ende gjallë dhe rasti ishte referuar si dëmtim i lehtë. Nga ana tjetër edhe Spitali i Durrësit ka ndryshuar shkakun e vdekjes në skedën përkatëse, duke e quajtur vdekje natyrale. Pas ndërhyrjes së emisionit, Prokuroria e rikualifikoi veprën penale në “aksident me pasojë vdekjen”.

Myslim Murrizi ironizoi situatën në Partinë Demokratike, duke thënë në një studio televizive, se “kur humb zgjedhjet të kap neni i Lulit, kur mbledh njerëz të kap neni i Mulit”. Me “nenin e Lulit” ai iu referua rregullit, që kryetari duhet të japë dorëheqjen, pas humbjes së zgjedhjeve. Ndërsa “neni i Mulit” ishte ironi ndaj deklaratës së Flamur Nokës, sipas së cilës Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga PD, pasi nisi takime me demokratët e bazës.

Në Rrugën e Dibrës, në Tiranë, Nefail Rodhe bleu një banesë me titull pronësie nga Ylli Beqiraj dhe, pasi u lëshuan dhe u paguan faturat e truallit, kërkoi pajisjen me certifikatë pronësie. Procesi u bllokua nga Kadastra, e cila kërkoi një deklaratë nga kompania “Juventus Construction”. Administratori i firmës, Petrit Hasa, nuk e pajisi qytetarin me dokumentin, duke pretenduar, se toka ishte e bllokuar për ndërtim. Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop” dhe verifikimeve nga Kadastra, u konstatua, se të gjitha procedurat ishin kryer përpara kontratës me firmën e ndërtimit, ç’ka çoi në pajisjen e Nefail Rodhes me certifikatën e truallit, duke i dhënë zgjidhje një problemi, që zgjati mbi dy vjet.

Të Fundit