Jemi në Prishtinë, për të folur për një aksident të datës 6 tetor 2022, ku është gjobitur shoferi i trajlerit Skënder Durma, padrejtësisht nga policia e Kosovës dhe polici me emrin Mehmet.Në 1 nëntor 2022, teksa ishte duke shkarkuar, është lajmëruar nga drejtori i biznesit, që të mos largohet dhe është mbajtur, derisa është lajmëruar polici. Skënderi është gjobitur dhe më pas janë parë pamjet filmike, ku qytetari e ka konsideruar të padrejtë, masën ndaj tij. Por, sic dëshmon Skënderi, ai është shantazhuar nga polici, se mund ta deportonte dhe t’i ndalonte hyrjen në Kosovë. Në këtë mënyrë, Skënderi ka pranuar gjobën prej 140 eurosh.Ne shkojmë në vendin e ngjarjes dhe Skënder Durma na shpjegon, se cfarë ka ndodhur duke iu referuar pamjeve filmike, që ka parë në rajonin e policisë. Në krahun e djathtë është futur një makinë, pasi ka lëvizur nga vendqendrimi dhe ky automjet ka prekur pasqyrën në gomën e fundit të trajlerit.Ne bëjmë provën me trajlerin dhe automjetin e “Stop” për të demostruar, se cfarë ka ndodhur. Eksperti automobilistik Fatmir Hasho, e konsideron të padrejtë gjobën dhe penalizimin e shoferit Skënder Durma.
Në Fushë- Krujë një qytetar bën drift me makinën në rrugë makinash.Një qytetar e ka kthyer makinën në magazinë lëvizëse, duke transportuar manekinë me portobagazh hapur.Edhe pema është shndërruar në një vend mbetjesh, pasi qytetarë të papërgjegjshëm kanë hedhur qese e prehra në majë të pemës. Në Kanada, Priami vetëm 5 muajsh argëtohet me ekranin e televizorit, në kohën, që transmetohet emisioni “Stop”. Janë këto disa në episodet, që shfaqen e komentohen në pjesën e parë të emisionit, në rubrikën “Hitparade i absurdit shqiptar”.
Pak ditë më parë emisioni “Stop” udhëtoi drejt Barcelonës në Spanjë, për të hedhur dritë mbi vdekjen misterioze të të riut Saimir Sula. Ai humbi jetën në Spitalin Del Mar në Barcelonë. Në 8 Maj 2020 Saimiri shkoi në spital për një test covidi, pasi ishte me temperaturë. Testi rezultoi negativ. Majlinda, motra e tij, priste që Saimiri të dilte nga spitali, por pas një telefonate me të, nuk e pa më të gjallë vëllain.Spitali konfirmoi vdekjen e 31 vjecarit rreth mesditës së 9 majit 2020. Fillimisht nga Spitali u tha, që Saimir Sula është axhituar dhe gjatë momentit të neutralizimit nga rojet e spitalit, i ka pushuar zemra. Por pamjet tregojnë, se Saimir kishte shenja dhune në trup.Instituti i Mjeksisë Ligjore në Barcelonë nuk ka një konkluzion të saktë për shkaqet e vdekjes.Cështja u referua në Gjykatë në Barcelonë, por ngjarja nuk u zbardh sërish. Trupi i Saimir Sulës erdhi pas 3 javësh në Shqipëri. Familjarët kërkuan bërjen e një tjetër autopsie. Mjekët konstatuan mungesën e zemrës në trupin e pajetë të 31 vjecarit. Shteti Shqiptar regjistroi veprën penale për trafikim të organeve. Prokurorja Suela Salavaci shpjegon, se janë dërguar 2 letra porosie në Spanjë për të bërë AND-në e zemrës, që autoritetet spanjolle pretendojnë, se e kanë në Spanjë. Shteti shqiptar ka bërë shumë pak për zbardhjen e ngjarjes makabre. Në një tjetër ngjarje të ngjashme, zyrtarët e ambasadës së Kenias në Romë, erdhën në Tiranë dhe morën kontakt me autoritetet shqiptare, për rastin e një të reje keniane, që u gjet e masakruar dhe e hedhur nga apartamenti ku banonte në kryeqytetin shqiptar.