STOP-EMISIONI 100(Sezoni 11) 21 Janar 2026-7 vjet pas termetit, 300 familje pa shtepi, apartamentet bosh, banoret ne qiell te hapur.

Që prej tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019, 4 familje me mbiemrin Rroko në zonën e Kombinatit, Tiranë, vazhdojnë të jenë pa strehë.Pallati 5-katësh, ku jetonin, u shpall i pabanueshëm dhe u shemb, ndërsa familjet firmosën një marrëveshje me Bashkinë e Tiranës, për t’u sistemuar në apartamente të reja, të ndërtuara me fondet e rindërtimit.Marjana Rroko, një prej banoreve të prekura, tregon, se pavarësisht premtimeve institucionale, nga viti 2019 deri në vitin 2026, familjet Rroko nuk kanë përfituar ende banesat e reja në Kompleksin e Rindërtimit në Kombinat. Sipas informacioneve të siguruara nga “Stop”, në të njëjtën situatë ndodhen rreth 300 familje të tjera, të cilat ende nuk janë sistemuar.Ndërkohë, në të njëjtën zonë, ku banonin familjet Rroko, ndodhen edhe tre pallate të tjera të shpallura të rrezikshme nga Instituti i Ndërtimit. Por ne kemi mësuar, se disa banorë të këtyre pallateve, vijojnë të jetojnë, ose të shfrytëzojnë ambientet, ndërsa paralelisht kanë përfituar apartamente të reja. Gjatë verifikimit në terren në Kompleksin e Ri në Kombinat, konstatohet, se një numër i konsiderueshëm apartamentesh janë ende bosh. Qytetarë të intervistuar deklarojnë, se kanë përfituar banesa të reja në kushte të ngjashme me familjet Rroko.Nga Njësia Administrative nr. 6, bëhet me dije se institucioni dërgon vetëm listat e familjeve përfituese, ndërsa vendimmarrja përfundimtare për shpërndarjen e apartamenteve, i takon Komisionit të Bashkisë së Tiranës. Pas interesimit të “Stop” pranë këtij komisioni, u premtua, se rasti i 4 familjeve Rroko do të rishikohet, për t’i dhënë një zgjidhje.

Gjatë ditës së sotme vajza e presidentit Trump, Ivanka Trump, ka zbarkuar në Vlorë. Mësohet, se bashkë me të janë shumë përfaqësues të studiove arkitekturore, të cilat do të japin ide për zhvillimin e Sazanit dhe Zvërnecit.

Samet Muca denoncon për “Stop”, se banesa e tij në Marikaj, e dëmtuar nga tërmeti i nëntorit 2019, ka mbetur e papërfunduar edhe pse fondet e rindërtimit janë dhënë të plota. Për rikonstruksionin e shtëpisë, punimet i mori përsipër firma “Hasrama”.Sipas Samet Mucës, ai i ka kaluar ndërtuesit shumën prej 26 milionë lekësh të vjetra, por banesa nuk është përfunduar. Ndërtuesi, sipas tij, është zhdukur, ndërsa shtëpia ka mbetur në mes të punimeve. Qytetari shprehet, se nuk ka mundësi financiare, për ta përfunduar vetë banesën dhe situata rëndohet, për shkak se nëna e tij është e sëmurë.Nga ana tjetër, ndërtuesi deklaron, se ka ndihmuar familjen, por shpenzimet kanë qenë më të larta se fondi i dhënë dhe pret ende një pagesë shtesë. Sipas tij, në banesë kanë mbetur pa u përfunduar punimet e pllakave, gipsit dhe dyerve, ndërsa vlera e mbetur për t’u paguar, shkon rreth 3 deri në 3.6 milionë lekë të vjetra. Ai shprehet, se një pjesë e këtyre kostove lidhen me prishjen e banesës ekzistuese dhe ndërtimin e shtesës, ndërsa punimet mund të përfundojnë brenda rreth 10 ditësh. Ai nënvizon, se është firmë private dhe jo shtetërore dhe se çmimet e ndërtimit kanë qenë të larta, sidomos në periudhën pas tërmetit.

Të Fundit