Anëtarët e kësaj force blinin vota me 50 Euro për Viktor Tushën.
Policia e Tiranës ka nisur verifikimet për rastet e blerjes së votave nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim për llogari të kandidatit të kësaj force për qytetin e Lezhës, ish-kryebashkiakun Viktor Tusha, të denoncuar nga emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan.
Burime nga blutë e kryqytetit bënë të ditur se do t’i merren informacion bluve të Lezhës dhe pasi të analizohen të dhënat, në bazë të rezultatit, pritet që SPAK të nisë hetimet zyrtarisht për veprën penale të shitblerjes së votës.
Emisioni “Stop”, nëpërmjet kameras së fshehtë, solli disa raste të tjera të blerjes së votave nga përfaqësues të LSI-së një ditë para votimit shkonin nëpër shtëpitë e qytetarëve duke blerë vota për 50 mijë Lekë të vjetra ose 50 Euro për llogari të kandidatit Viktor Tusha.
Ata u kërkonin atyre kundrejt lekëve të votonin numrin 6 që i përkiste LSI-së në fletën e votimit dhe numrin që përfaqësonte kandidati ish-kryebashkiaku i Lezhës, Viktor Tusha.
Qytetarja – Po i ke thënë 50 mijë lekë, a 50 euro, votën?
Anëtar i LSI – 50 euro, më!
Qytetarja – 50 euro? Sa veta janë këto?
Anëtar i LSI – Shiko, ka tre copë shpija!
Qytetarja – Këtu te shpija?
Anëtar i LSI – 3 vota i ka të sigurta.
Qytetarja – Ky ka 3 vota.
Anëtar i LSI – Po, 3 vota.
Qytetarja – Ok! Kështu që, 150 euro, o 150 mijë lekë.
Kjo nuk është hera e parë që kandidati i LSI-së Viktor Tusha akuzohet për blerjen e votave. Edhe në zgjedhjet e shkuara parlamentare të vitit 2017 ai u kap nga kamerat teksa dilte nga një shtëpi në Lezhë së bashku me ish-kryetarin e atëhershëm të LSI-së Ilir Meta, duke i futur një zarf me Lekë të zotit të shtëpisë në xhep.