- Spitalet dhe objektet shëndetësore janë në qendër të luftimeve intensive teksa Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit në qytetin e Gazës. Fokusi i vëmendjes ka qenë në spitalin Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, ku mijëra persona janë bllokuar nga betejat përreth, por objekte të tjera shëndetësore kanë raportuar gjithashtu për mungesë furnizimesh dhe energjie për shkak të luftimeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se 36 objekte shëndetësore, përfshirë 22 spitale, janë dëmtuar që nga fillimi i luftës më 7 tetor, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë ende funksionale.
OBSH-ja ka njoftuar të dielën se spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës – më i madhi në territor, me 700 shtretër – ka pushuar së funksionuari dhe se situata brenda është “e tmerrshme dhe e rrezikshme”.
Rrugët përreth janë përfshirë nga luftimet midis Hamasit dhe forcave izraelite. Sipas OKB-së, infrastruktura kritike është dëmtuar. Izraeli ka deklaruar se luftëtarët e Hamasit po e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në tunele nën spital – pretendim që Hamasi po e mohon.
Stafi brenda ka thënë se është e pamundur të largohen, meqë mund të lëndohen ose vdesin.
“Të shtënat me armë zjarri dhe bombardimet e vazhdueshme në zonë kanë përkeqësuar rrethanat tashmë kritike”, ka shkruar në rrjetin social X, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas raporteve të shumta nga brenda është bërë e ditur se nuk ka ushqim dhe karburant të mjaftueshëm për gjeneratorët. Ka pasur edhe ndërprerje të komunikimit – shoqata bamirëse “Mjekët pa Kufij” nuk ka qenë në gjendje që të kontaktonte me anëtarët e saj brenda Gazës gjatë fundjavës. Përpjekjet e BBC-së për të kontaktuar punëtorët shpesh kanë qenë të pasuksesshme.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka raportuar se të paktën 2.300 njerëz gjenden ende brenda spitalit – deri në 650 pacientë, 200-500 staf dhe rreth 1.500 njerëz që kërkojnë strehim. Ky numër përfshin edhe foshnjat e porsalindura.
Stafi ka njoftuar se tri nga 39 foshnjat të cilat ishin nën kujdesin e tyre vdiqën gjatë fundjavës si shkak i mosfunksionimit të inkubatorëve. Edhe foshnjat e mbijetuara janë në rrezik serioz, sipas mjekëve.
Zëdhënësi kryesor i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, ka thënë të shtunën se Izraeli do të ofrojë ndihmë për evakuimin e foshnjave në një “spital më të sigurt”.
Megjithatë, ky evakuim duhej të fillonte që nga pasditja e së hënës.
Stafi i spitalit i ka thënë BBC-së se zhvendosja e foshnjave në mënyrë të sigurt kërkon pajisje të sofistikuara dhe se nuk ka “spital më të sigurt” brenda Gazës.
Të shtunën, koloneli Moshe Tetro i IDF-së ka pranuar se ka pasur përleshje pranë spitalit, por jo të shtëna në spital dhe asnjë rrethim.
Kushdo që donte të largohej, mund ta bënte këtë, ka thënë ai. Ai ka këmbëngulur se nëse e thotë të kundërtën do të gënjente.
Marwan Abu Saada, një kirurg në spitalin Al-Shifa, i ka thënë BBC-së se kishte bombardime rreth spitalit dhe ambulancat nuk mund të hynin brenda.
IDF-ja ka deklaruar gjithashtu se përpjekjet për të dërguar 300 litra karburant në Al-Shifa të dielën kishin dështuar, sepse Hamasi kishte refuzuar ta pranonte atë – diçka që Hamasi e mohoi.
Abu Saada i ka thënë BBC-së në të njëjtën ditë se 300 litra “do të zgjasin 30 minuta” – spitalit i duhen 10 mijë litra në ditë për të funksionuar normalisht.
Në krye të kësaj është edhe rreziku në rritje i përhapjes së sëmundjeve infektive si pasojë e mosfunksionimit të rrjetit të kanalizimit, si dhe dekompozimit të trupave të vdekur që nuk mund të ruhen në frigoriferë.
Abu Saada ka njoftuar se përpjekjet për të varrosur të vdekurit kanë hasur në pengesa si pasojë e luftimeve rreth kompleksit dhe frigoriferi i morgut ka dështuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
100 trupa të pavarrosur gjenden në oborrin e spitalit, ka shtuar ai.
Dr. Marwan Al-Barsh, drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, të drejtuar nga Hamasi në Gaza, ka bërë të ditur se përveç oborrit, edhe morgët e spitalit janë gjithashtu të mbushura me kufoma.
Ai ka shtuar se zyrtarët e spitalit ishin përpjekur t’i varrosnin ata që kishin vdekur në spital, por njerëzit nuk kishin mundur të largoheshin për shkak të sulmeve.
Izraeli është shprehur i sigurt se ka një qendër komanduese të Hamasit nën Al-Shifa.
Autoritetet izraelite kanë ndarë pamje 3-D të asaj që kanë thënë se ishte një rrjet tunelesh nën spital, si dhe regjistrimet që pretendohet se janë të luftëtarëve të Hamasit.
Hamasi ka mohuar se po përdor spitalin ose se ka një qendër operacioni poshtë tij. Mjekët brenda kanë këmbëngulur se nuk ka prani të Hamasit atje. Korrespondenti i BBC-së në Gaza, Rushdi Abualouf, ka thënë se ai kurrë nuk ka parë “ndonjë prezencë ushtarake” brenda spitalit, por ka pranuar se është e vështirë që të verifikohen pretendimet e Izraelit apo të Hamasit.
Spitali Al-Ahli
Dr. Tedros i OBSH-së ka thënë më 10 nëntor se spitalet që funksiononin në Rripin e Gazës po “operonin shumë përtej kapaciteteve të tyre”.
Dr. Ghassan Abu Sittah, një mjek që punon në Al-Ahli në Gazën veriore, i ka thënë BBC-së se spitali tani po pranon të gjithë të plagosurit nga qyteti i Gazës, porse nuk ka burime për t’i trajtuar.
Ai ka njoftuar se ambulancat vijnë me të plagosur çdo 10 minuta dhe se stafi i spitalit nuk ka qasje në bankën e gjakut, e cila, sipas tij, është e rrethuar nga tanket izraelite.
Ai ka shtuar se sallat e operacionit po ruhen për operacione që shpëtojnë jetë, sepse nuk kanë burime të mjaftueshme për të trajtuar të gjithë.
Muajin e kaluar Al-Ahli ishte skena e një shpërthimi vdekjeprurës që u shndërrua në qendër të pretendimeve midis Izraelit dhe Hamasit mbi përgjegjësinë e sulmit.
Spitali Al-Quds
Spitali i dytë më i madh i Rripit të Gazës pas Al-Shifas, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, ka pushuar së funksionuari.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze ka njoftuar të shtunën se ekipet e saj janë bllokuar brenda me 500 pacientë dhe rreth 14 mijë njerëz të zhvendosur, kryesisht gra dhe fëmijë.
Të dielën kanë deklaruar se spitali ishte “jashtë shërbimit… jo më funksional… për shkak të shterimit të karburantit dhe ndërprerjes së energjisë”.
“Mjekët pa Kufij” kanë njoftuar të shtunën se kanë humbur kontaktet me një kirurg që punonte dhe strehohej në Al-Quds me familjen e tij.
Al-Rantisi dhe Al-Nasr
Spitali i vogël i specializuar Rantisi për fëmijët dhe spitali Al-Nasr aty pranë, në veri të qytetit të Gazës, janë evakuuar të premten, me përjashtim të një pjese të vogël të pacientëve dhe stafit. Rantisi kishte të vetmin repart të kancerit pediatrik në Gazë.
IDF-ja ka treguar për BBC-në detaje të bisedave telefonike midis një zyrtari në Rantisti dhe një oficeri të lartë në IDF, ku ata diskutonin marrëveshjet për evakuimin e pacientëve.
Oficeri izraelit u kishte thënë autoriteteve të spitalit që të largoheshin nga hyrja kryesore në orën 11:20 dhe u kishte shpjeguar në detaje se cilat rrugë duhej të ndiqnin për t’u larguar nga qyteti i Gazës.
Oficeri izraelit po ashtu i kishte thënë dy herë zyrtarit të spitalit që të sigurohej që civilët të mbanin diçka të bardhë për të treguar se nuk ishin luftëtarë.
Në një video të verifikuar nga BBC-ja, njerëzit që valëvisnin flamuj të bardhë u panë duke u qëlluar me armë zjarri teksa përpiqeshin të largoheshin nga Al-Nasr të premten. Nuk ishte e qartë se nga kishin ardhur të shtënat dhe kush i kishte qëlluar.
Të hënën në mbrëmje, zëdhënësi i IDF-së, Daniel Hagari, u ka treguar gazetarëve atë që ai ka thënë se ishte dëshmi e infrastrukturës së Hamasit në Rantisi – video e eksplozivëve, jelekëve vetëvrasës dhe madje edhe një motoçikletë të përdorur në sulmet e 7 tetorit, e fshehur në një bodrum.
Ai ua ka treguar edhe një video të disa shkallëve, që tha se ishte hyrja e një tuneli që ishte pranë shkollës dhe spitalit, duke shtuar se nuk ishte “asgjë tjetër veçse një tunel tmerri”.
Klinika Al-Sweidi
Zyra e OKB-së për çështjet humanitare në përditësimin e saj të së dielës mbrëma ka njoftuar se klinika suedeze Al-Sweidi ishte “goditur dhe shkatërruar” nga një sulm ajror të shtunën.
Aty ishin të strehuar rreth 500 njerëz, ka raportuar zyra e OKB-së, dhe numri i viktimave ishte “i paqartë”.
Të hënën në mëngjes, korrespondenti i BBC Gaza, Rushdi Abu Alouf, ka biseduar me Maryam al-Arabeed, një grua 65-vjeçare, e cila ka thënë se ushtarët izraelitë kanë hyrë në objekt të dielën mbrëma dhe i kanë larguar të gjithë jashtë. Ajo ka thënë se më pas kishte parë “një buldozer izraelit duke e shkatërruar plotësisht ndërtesën”.
“Ata i nxorën të rinjtë, duke përfshirë tre djemtë e mi dhe ndanë gratë e fëmijët”, ka thënë ajo për BBC-në.
Ajo ka shtuar se nuk e dinte se ku ishin djemtë apo të afërmit e saj.
IDF-ja ka thënë se po e hetonte raportin.
“Për dallim nga sulmet e qëllimshme të Hamasit ndaj burrave, grave dhe fëmijëve izraelitë, IDF-ja ndjek ligjin ndërkombëtar dhe merr masa paraprake të mundshme për të zbutur dëmtimin e civilëve”, ka shtuar ushtria izraelite.