Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, sëbashku me Zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, morën pjesë në një ceremoni nderimi pranë monumentit të heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Shkupin e vjetër.
Në ceremoni u bashkuan edhe Kryetari i Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit.
Spiropali shkruan se “në zemër të Shkupit të vjetër, guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut.”
Postimi i Spiropalit:
Sonte, në zemër të Shkupit të vjetër, aty ku guri flet me histori dhe koha merr frymë krenarie, ndaluam për të nderuar simbolin e qëndresës, të dinjitetit dhe të shpirtit europian, duke vendosur kurorën e nderit pranë monumentit të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në këtë moment kujtese dhe respekti ishim së bashku me Zëvendëskryeministrin Arben Fetai dhe Kryetarin e Çairit Izet Mexhiti, si dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit lokal në Komunën e Çairit, të bashkuar me nderim dhe krenari.
Pas ceremonisë, dita u mbush me ngjyra dhe emocione: shfaqja artistike, ritmi i tupanëve dhe fëmijët me veshje e simbole kombëtare e bënë këtë çast edhe më të gjallë. Një kujtesë e përbashkët për rrënjët tona të forta dhe përkatësinë tonë natyrore në Europë.



