Spiropali: Kongresi i Lushnjës, gur themeli për parlamentarizmin shqiptar

Në kuadër të 105-vjetorit të parlamentarizmit shqiptar, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot aktivitetin “Parlamentarizmi, Republika, Demokracia”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vlerësoi sot kontributin e Kongresit të Lushnjës në fillesat e parlamentarizmit në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, Spiropali vlerësoi se Kongresi i Lushnjës vendosi gurët e themelit të parlamentarizmit shqiptar.

“Në më pak se një dekadë pas shpalljes së Pavarësisë, Kongresi i Lushnjës shënoi një moment historik për popullin shqiptar, hodhi hapat e parë drejt një shteti të organizuar. Parlamentarizmi kurorëzoi e jetësoi përpjekjet e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të bazuar në drejtësi, liri dhe barazi”, tha Spiropali.

Ajo vlerësoi po ashtu se parlamentarizmi ka luajtur një rol kyç në zhvillimin e institucioneve dhe konsolidimin e parimeve, vlerave e standardeve demokratike duke krijuar e forcuar përgjatë historisë së tij lidhjen mes qeverisë dhe të qeverisurve.

“Kongresi i Lushnjës rrëzoi në sytë e fuqive të mëdha paragjykimin dhe stigmën mbi paaftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar, për të marrë vendime kombëtare, për të bërë shtet e ndërtuar institucione qeverisëse. Se si të tillë nuk e meritonin shtetin e tyre të pavarur. Kongresi i Lushnjës e shkallmoi përfundimisht këtë sfidë”, tha Spiropali.

Të Fundit