SPAK tejkalon afatet ligjore, lirohen 32 të arrestuarit për kultivim narkotikësh

Gjykata e Posaçme dhe SPAK kanë dështuar të përfundojnë në kohë procedurat gjyqësore, ku për shkak të tejkalimit të afateve janë liruar nga qelia 32 të arrestuar për kultivim dhe trafikim narkotikësh, mes të cilëve edhe ish-punonjës policie. Atyre u është ndryshuar masa nga arrest me burg në arrest shtëpie për shkak se kishin mbaruar afatet e paraburgimit.

Kjo pasojë erdhi për shkak të zvarritjes së procesit gjyqësor dhe ezaurimit të të gjithë gjyqtarëve të posaçëm duke çuar në zgjedhjen e një trupe nga KLGJ të formuar nga gjyqtarë rrethesh.

Trupat ishin kontestuar vazhdimisht prej të pandehurve dhe avokatëve për 2 vite me radhë, duke pamundësuar një proces të rregullt. Gjyqtarja e Beratit, Matilda Llangozi, firmosi ndryshimin e masave duke i çuar të akuzuarit në arrest shtëpie.

Në mars të vitit 2022 nga një hetim i nisur tre vite më parë nga Prokuroria e Posaçme dhe Policia e Shtetit u finalizua operacioni për ekzekutimin e 44 urdhër-arresteve, të përfshirë në trafik, prodhim dhe kultivim të drogës, si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale.

35 urdhër arreste janë ekzekutuar, ku në burg u lanë në atë kohë 33 persona, një në arrest shtëpie dhe një në detyrim paraqitje. Gjatë hetimeve, SPAK ka mundur të evidentojë 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve si dhe kultivimit të bimëve narkotike në Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë, Lezhë dhe Prrenjas.

Veprat e dyshuara kriminale janë kryer gjatë periudhës nga muaji mars 2019 deri në nëntor të vitit 2020. Gjatë hetimeve të Prokurorisë së Posaçme rezultoi se Fejzi Meçaj, punonjës policie në Komisariatin e Tepelenës, dhe Adriatik Logli, efektiv i Policisë së Gjirokastrës, kanë konsumuar veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa kanë lehtësuar punën e grupeve kriminale për trafikimin e lëndëve narkotike.

Të Fundit