Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vendosur të pushojë hetimet ndaj kryebashkiakut të Hasit, Miftar Dauti, i cili ishte kallëzuar se nuk kishte deklaruar një dënim të marrë gjatë periudhës së diktaturës komuniste në formularin e dekriminalizimit.
Sipas dosjes hetimore të siguruar nga media, prokurori Elvin Gokaj ndan të njëjtin qëndrim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në vjeshtën e vitit 2024 kishte refuzuar t’i hiqte mandatin Dautit për këtë çështje.
Dënimi i padeklaruar, pjesë e përndjekjes politike
Miftar Dauti ishte internuar familjarisht në vitin 1986, në moshën 18-vjeçare, në qytetin e Beratit. Pasi braktisi vendin e internimit, ai u arrestua dhe u dënua me katër muaj burg në repartin e Martaneshit. Sipas deklarimeve të tij, ai kishte shkruar 19 letra Kuvendit Popullor për të kërkuar arsyen e internimit, por nuk mori asnjëherë përgjigje. Në shenjë proteste, ai refuzoi të votonte në zgjedhjet e vitit 1987, veprim që u interpretua nga regjimi si largim nga vendi i internimit.
Prokurori Gokaj thekson në vendimin e tij se, bazuar në ligjin e vitit 1991 për pafajësinë dhe rehabilitimin e të përndjekurve politikë, të gjithë personat e dënuar për krime politike gjatë regjimit komunist konsiderohen të pafajshëm dhe të padënuar nga pikëpamja ligjore, morale, politike dhe ekonomike.
“Vendimet gjyqësore me karakter politik të dhëna nga një regjim diktatorial, despotik, totalitar dhe tiranik, konsiderohen të paqena për shtetin demokratik dhe të së drejtës,” thuhet në vendimin e SPAK.
Hetuesit gjithashtu kërkuan informacion përmes Interpol-it për të verifikuar nëse Dauti kishte dënime të tjera penale. Sipas përgjigjeve zyrtare, ai nuk ka asnjë precedent penal në sistemet ndërkombëtare.
Në përfundim, SPAK arriti në përfundimin se Miftar Dauti nuk kishte detyrim ligjor për të deklaruar një dënim të marrë gjatë diktaturës komuniste, pasi ai konsiderohet juridikisht inekzistent në rendin demokratik. Për këtë arsye, çështja është mbyllur pa akuzë dhe pa ndjekje penale.