SPAK kërkon dënimin me 13 vjet burg për Rezart Taçin dhe konfiskimin e 18 mln eurove pasuri

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 13 vjet burg për Rezart Taçin, biznesmenin në arrati që po gjykohet në mungesë për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Prokurori i SPAK, Klodian Braho kërkoi dhe konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të 18 mln eurove të mafies italiane.

Sipas SPAK, Taçi së bashku me shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo, si dhe italianët Francesco Zummo, Fabio Petruzzella, Daniele Cestagalli, në bashkëpunim me njëri tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar një skeme komplekse financiare të kundërligjshme.

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.

Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro, të bllokuara në një llogari bankare në një bankë të nivelit dytë në vend.

Këta persona akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.

Të Fundit