SPAK kërkon 3 vjet burg për ish-deputetin socialist Jurgis Çyrbja

Prokuroria e Posaçme ka lexuar pretencën për ish-deputetin socialist, Jurgis Çyrbja, Altin Hajrin dhe Ahmet Mashën.

SPAK ka kërkuar 3 vjet burg për Jurgis Çyrbjan, i cili akuzohet për: tregim i sekretit shtetërore në disa raste, përkrahje autorit të krimit disa herë, korrupsion ne zgjedhje në vitin 2021 – 3 vite burg/ 2 vite burg;

Altin Hajri – Korrupsion në zgjedhje, përkrahje e autorit të krimit – 3 vite burg/ 2 vite burg;

Ahmet Masha – Tregim i sekretit shteteror, perkrahje e autorit të krimit – 2 vite e 6 muaj/1 vit e 8 muaj burg.

Hetimet e SPAK zbuluan se ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja ka dekonspiruar operacione policore dhe ka shpërndarë të dhëna nga sistemi TIMS, duke ndihmuar persona në kërkim që të shmangin arrestimin.

Në dosje theksohet lidhja e ngushtë mes Jurgis Çyrbes dhe të kërkuarit ndërkombëtarisht Altin Hajri, i njohur për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës. SPAK pretendon se Çyrbja i ka premtuar Hajrit mbështetje në këmbim të votave gjatë zgjedhjeve.

Altin Hajri, ende në kërkim, akuzohet gjithashtu për korrupsion zgjedhor, pasi dyshohet se i ka siguruar vota ish-deputetit socialist. Sipas hetimit, Çyrbja, Hajri dhe një tjetër person, Ahmet Masha, kanë bashkëpunuar në disa aktivitete kriminale, të dokumentuara përmes komunikimeve të interceptuara.

SPAK ka faktuar 8 episode kriminale, të ndodhura mes 1 majit 2020 dhe 8 marsit 2021, ku të dyshuarit janë vënë në dijeni të informacionit të ndaluar në sistemin TIMS dhe të dhënave sekrete të Policisë së Shtetit.

Jurgis Çyrbja u arrestua më 20 tetor 2024, pak javë pasi kishte dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit. Ai ka shërbyer për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë.

Të Fundit