SPAK kërkon 1 vit burg për ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato

Prokuroria e Posaçme shpalli pretencën për ish- drejtoreshën e Autoritetit Rrugor Shqiptar Sonila Qato, e akuzuar për veprën penale “Shkelje e barazisë në tendera”, si dhe për ish- zyrtarët e tjerë, të cilët u morën të pandehur për tenderin në vlerë 19 milionë euro të tunelit të Skërficës, në rrugën Kardhiq-Delvinë.

Për Sonila Qaton dhe Elona Gogon, SPAK kërkoi 1 vit burg me dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike. Ndërsa për Simon Prendin, organi i akuzës kërkoi 2 vite burg dhe që për 3 vite të mos ushtrojë funksione publike.

Për dy anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave Almir Hoxhaj dhe Arbër Troka u kërkua 2 vite burg me dënim plotësues, 3 vite heqje nga e drejta par të ushtruar funksione publike.

Prokurori Elvin Gokaj kërkoi dënimin e Ardit Salillarit me 9 muaj burg, për Admir Pahumin 1 vit burg dhe për Nikollaq Mihalin 8 muaj.

Organi i akzuës po ashtu i kërkoi togave të zeza që Arjana Hasani të dënohet me 2 vite burg, ndërsa Miranda Shkurti me 8 muaj.

Hetimet për Qaton dhe ish zyrtarët e tjerë përfunduan në muajin tetor të vitit 2022.

Kallëzimi penal u bë në strukturën e posaçme antikorrupsion në muajin shtator të vitit 2019 nga kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila pretendoi se është përjashtuar në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore nga prokurimi.

Ish-drejtoresha e ARRSH-së, Sonila Qato dhe disa ish-vartës të saj akuzohen se favorizuan një shoqëri në tenderin 19 milionë euro të tunelit të Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë në vitin 2019. Qato i mohon akuzat.

Në datë 5 shkurt ora 14.00 do të bëhet mbrojtja, ku më pas gjykata do shpallë vendimin mbi kërkesën e prokurorisë së posaçme.

Të Fundit