SPAK del me njoftim, arratisen biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj! Ekzekutohet masa për Karçanajn dhe të tjerët
Arratisen biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, ekzekutohen disa masa sigurie për dosjen e tenderëve
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me një procedim penal të gjerë, ku janë përfshirë tetë shtetas të dyshuar për vepra të rënda penale të kryera në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, është regjistruar procedimi penal nr. 20/1 i vitit 2025 për veprat penale: “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga Kodi Penal.
SPAK bën me dije se shtetasit nën hetim, në bashkëpunim mes tyre, kanë manipuluar procedura tenderimi përmes vendosjes së kritereve të paligjshme, me qëllim favorizimin e kompanive të paracaktuara. Po ashtu, ata dyshohet se kanë ushtruar presion dhe dhunë ndaj përfaqësuesve të kompanive konkurruese, duke i detyruar të heqin dorë nga ankimimet, të cilat mund të ndryshonin renditjen e fituesve.
Në kuadër të këtij aktiviteti kriminal, administratorë të disa kompanive kanë marrë pjesë formalisht në tendera, kanë lëshuar fatura fiktive dhe kanë kryer transaksione financiare me subjekte që nuk ishin pjesë e procedurave të prokurimit.
Më 15 dhjetor 2025, SPAK paraqiti kërkesën në Gjykatën e Posaçme për caktimin e masave të sigurimit ndaj tetë personave. Një ditë më pas, më 16 dhjetor 2025, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ekzekutuar disa prej këtyre masave.
Gjykata ka caktuar masën “Arrest në burg” për biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj, por këto masa nuk janë ekzekutuar, pasi të dy rezultojnë të arratisur.
Ndërkohë, është ekzekutuar masa “Arrest në shtëpi” për drejtoreshen e AKSHI Mirlinda Karçanaj, si edhe për shtetasen H.D.. Për shtetasin E.I. është vendosur masa pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë shtetit, ndërsa për shtetasit A.P., G.H. dhe R.Rr. është caktuar masa ndalim i daljes jashtë shtetit.
SPAK thekson se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë.



