Në muajin Prill të vitit të kaluar ambientet e paraburgimit të Vlorës u përfshinë nga flakët. Një shprehje e urtë popullore thotë që me të thatin digjet edhe i njomi. Kështu e pësoi dhe Olsion Brahimaj, të cilin e hoqën nga detyra duke e bërë përgjegjës, edhe pse zjarri nuk ra në katin ku ai shërbente.
“Unë jam ish-punonjës i paraburgimit Vlorë. Në datën 21 Prill të vitit 2017, në orën 19:30, ra zjarr në katin e poshtëm, atë të izolimit dhe të burgosurit kanë shkuar kanë djegur edhe katin e tretë. Unë kam qenë me shërbim në katin e dytë dhe kam qenë polic i rolit bazë, pra i sektorit. Drejtori që ka qenë atëherë, Besim Binaj ka bërë sikur unë kam qenë përgjegjës i zonës në katin e dytë dhe më ka hequr padrejtësisht”, rrëfeu denoncuesi.
Në këtë mënyrë, ish-punonjësi i paraburgimit nisi kalvarin e ankesave në Ministrinë e Drejtësisë. Komisioni i Apelimit të Masave Disiplinore më datë 02.06.2017 vendosi rishikimin e urdhërit për masën disiplinore “largim nga detyra”. Në Drejtorinë e Burgjeve iu tha se do të rikthehet në punë, por deri më sot nuk ka ndodhur.
“Po i bëj thirrje zotit Arben Çuko të më kthejë në punë se jam i pafajshëm. Dhe Ministres së Drejtësisë Gjonaj, të kthehet e të shikojë çështjen se s’kam lidhje fare me ngjarjen! Të tjerë që dogjën burgun janë në punë, ndërsa mua më sorrollasin”, u shpreh i shqetësuar Olsion Brahimaj, i cili prej 1 viti kërkon vetëm vendimin, në mënyrë që të dijë se çfarë do të bëjë më pas.
Në një takim me shefin e personelit, ky i fundit tha se vende bosh ka plot, por duhet të interesohet në Tiranë.
Qytetari – Komisar, c’kemi?
Shefi i personelit – Ça po bën? Si dukesh?
Qytetari – Hiç, mirë!
Shefi i personelit – Si dukesh? Çkemi?
Qytetari – Për ty erdha, të të takoja një çikë.
Shefi i personelit – Hë?!
Qytetari – Tani ça do bëhet? Do kthehem a s’do kthehem dhe unë të iki në vend tjetër, të drejtohem në vend tjetër o komisar…
Shefi i personelit – Nuk ka asnjë informacion. Ti ishe në konkurim atje?
Qytetari – Po s’isha te konkurimi se unë jam i certifikuar.
Shefi i personelit – Tashi…
Qytetari – I kam bërë unë të tëra trajnimet.
Shefi i personelit – Vende ka bosh… janë 9 a 10 policë. Nuk ka asnjë informacion për të marrë, për të qënë i sinqertë. Ti e di si funksionon këtu. Interesohu nga Tirana, ça bëhet. Unë kam çuar çdo ditë informacione, probleme. Vetëm Tirana, këtu s’ka asgjë.
Pra ish-punonjësit të paraburgimit Vlorë i duhet të vijojë të interesohet vetë në Tiranë për të zgjidhur largimin e padrejtë që i bënë nga puna.