Sot harta e re gjyqësore, do të “shkrihen” nëntë gjykata e prokurori

Sot nis faza e dytë e implementimit të hartës së re gjyqësore, ku nuk do të funksionojnë nëntë Gjykata të Shkallës së Parë në rrethe dhe nëntë prokurori. Prej sot (1 Maj), gjykatat e shkallës së parë riorganizohen dhe nga 22 mbeten 13.

Gjykatat e Shkallës së Parë që mbyllen janë në Tropojë, Mat, Kurbin, Krujë, Pukë, Lushnje, Kavajë, Përmet dhe Pogradec. Së bashku me to, pushojnë së ekzistuari edhe prokuroritë përkatëse të këtyre rretheve gjyqësore.

Pas kësaj faze, dosjet e gjykatës së Tropojës transferohen në Kukës, të Matit në Dibër, të Kurbinit në Lezhë, të Pukës në Shkodër, të Krujës në Tiranë, të Kavajës në gjykatën e Durrësit, të Lushnjës në Fier, të Përmetit në Gjirokastër dhe të Pogradecit në Korçë.

Faza e parë u aplikua në muajin shkurt kur nga gjashtë apele që ishin në të gjithë vendin, u vendos reduktimi në një Apel kombëtar. Në këtë mënyrë, u shkrinë gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës Korçë dhe Gjirokastër duke bërë që të gjitha dosjet të transferohen në Tiranë.

Faza e tretë do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti kur parashikohet reduktimi i të gjitha gjykata administrative në dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë.

Harta e re do të funksionojë me 16 gjykata në total, 13 të Shkallës së Parë, 1 Gjykatë Apeli dhe 2 gjykata Administrative.

KLGJ shkriu 18 gjykata, duke reduktuar gjykatat e Apelit në një të vetme në Tiranë, nga 5 gjykata Administrative do të jenë në vetëm dy, në kryeqytet dhe në Lushnje, ndërsa nga 22 që ishin, me hartën e re, nga 1 shkurti do të jenë vetëm 13 gjykata të Shkallës së Parë.

Të Fundit