“Smartphone”/ Vjedhje miliona lekë përmes kartave bankare, goditet grupi i të rinjve,21-vjeçari kapet kur po

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “SMARTPHONE”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimit kibernetik.

Operacioni nga Njësia për Hetimin e Krimeve kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen 5 shtetas të tjerë, për vjedhje dhe përdorim të të dhënave të kartave bankare.

Duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar gjatë katërmujorit të parë të vitit 2021, në bazë të informacioneve që dispononte Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pasi ka marrë kallëzimin nga një kompani e telefonisë së lëvizshme, ka kryer hetime të plota dhe të shpejta për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Pas kryerjes së hetimeve nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka rezultuar se një shtetas, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë përdorur të dhëna kartash bankare të cilat dyshohet se janë vjedhur nga shtetas të ndryshëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim për të përfituar financiarisht duke blerë pajisje të telefonisë së lëvizshme.

Nga materialet e deritanishme ka rezultuar se vetëm në një kompani këta shtetas kanë kryer një dëm prej rreth 33.000.000 lekësh, ndërkohë dyshimet janë se dëme të konsiderueshme kanë dhe kompani të tjera të cilat shesin produkte në rrjet (online) dhe për këtë fakt hetimet janë në vazhdim.

Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike ka organizuar punën duke kapur në flagrancë, gjatë marrjes së pajisjes, shtetasin Q. T., 21 vjeç, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Po ashtu, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore u ndalua dhe shtetasi I. B., 18 vjeç, i cili dyshohet si bashkëpunëtor për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Veprimet hetimore vazhduan dhe në lidhje me persona të cilët kanë furnizuar apo kanë bashkëpunuar për sigurimin e të dhënave të kartave bankare, nga ku rezultoi se këta shtetas kanë bashkëpunuar dhe me shtetasit:

E. H., 21 vjeç, E. Sh., 19 vjeç, Dh. T., 23 vjeç, M. M., 33 vjeç (shtetas i huaj) dhe S. S., 26 vjeç (shtetas i huaj). Të pestë këta shtetas po procedohen penalisht, pasi dyshohen si bashkëpunëtorë për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.

Gjithashtu, nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Fier u kontrolluan disa banesa dhe ambiente dhe me cilësinë e provës materiale u sekuestruan telefona celular, laptopë dhe dokumente, fatura të ndryshme bankare etj.
Aktualisht po punohet për zbardhjen e plotë të këtij aktiviteti kriminal.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

 

Të Fundit