Prokuroria e Tiranës ka lëshuar katër urdhër arreste të tjera për punonjës të spitalit “Shefqet Ndroqi”, të cilët dyshohet se kanë lidhje me skandalin e bërë publik pas arrestimit të sanitares Tire Alldervishi, që i zhvati 8 milionë lekë të afërmes së një pacienteje me Covid.
Mësohet se punonjësit shëndetësorë të spitalit Covid2 janë zbuluar nga komunikimet që kanë kryer me sanitaren Tiren Alldërvishi.
Të arrestuarit mësohet se janë të katërt infermierë të “Shefqet Ndroqi”-t.
SKANDALI TE “COVID 2”
Prokuroria e Tiranës prej disa ditësh ka nisur hetimet lidhur me skandalin e denoncuar në media mbi korrupsionin në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili tashmë shërben si spital COVID. Në pranga është vënë shtetasja Tire Alldervishi, sanitare në këtë spital, e cila është denoncuar nga vajza e një pacienteje që ka ndërruar jetë si pasojë e virusit.
Tire Alldervishi, që punonte si sanitare në Spitalin “Shefqet Ndroqi”, akuzohet se u hoq si infermiere dhe i mori vajzës së pacientes me koronavirus para për t’i shërbyer. Pacientja me COVID-19 ishte shtruar në spital më 28.11.2020 dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital më datë 25.12.2020. Komunikimet nëpërmjet Tire Alldervishit dhe Eltjana Sinanajt janë bërë si verbalisht, ashtu edhe përmes rrjetit të komunikimit “WhatsApp” dhe provat materiale do të përdoren nga Prokuroria.
Në emisionin “Stop” të datës 12.01.2021 janë transmetuar pamjet për ngjarjen e ndodhur. Në datën 28.11.2020 mamaja e kallëzueses është shtruar te Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID-19 dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital më datë 25.12.2020. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në Spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe që më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital.
ARRESTIMI
Menjëherë sapo është lëshuar urdhër-arresti nga ana e Prokurorisë së Tiranës, Tire Alldervishi është vënë në prangat e Policisë. Ka qenë pikërisht vajza e të sëmurës me COVID-19, Eltjana Sinanaj, 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, Tire Alldervishi e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5000-6000 lekë. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000- 6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, njoftoi dje Policia.