Presidenca e Kosovës ka akuzuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut për shkelje të praktikave ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, duke thënë se gjatë 1 gushtit, presidentes Vjosa Osmani, është tentuar t’i merret telefoni personal nga një pjesëtar i sigurimit të Aeroportit të Shkupit (TAV).
“Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, tha këshilltari politik i Osmani, Bekim Kupina.
Autoritetet maqedonase kanë hedhur poshtë këto akuza të Presidencës kosovare por thanë se kanë nisur hetimet për këtë rast.
Nga kompania TAV thanë se departamenti i sigurisë, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë
Presidenca: Sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim
Bekim Kupina tha se përkundër se i janë bërë të ditura rregullat diplomatike, “ai [sigurimi] ka tentuar fizikisht ta shtyjë presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”, tha Kupina.
Konventa e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike veç tjerash, mbron statusin diplomatik, privilegjet dhe imunitetin e krerëve të shteteve dhe anëtarëve të stafit të tyre në territorin e shteteve të tjera. Në këtë konventë, kur flitet për udhëtimet, thuhet se personave që kanë status diplomatik, dhe stafit të tyre, duhet t’u lejohet lëvizje e lirë.
“Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”.
Sipas tij, sjellje dhe ngjarje të tilla nuk kanë ndodhur në asnjë udhëtim të Osmanit, përfshirë edhe në shtetet mosnjohëse.
“Presidenca e konsideron çdo sulm dhe trajtim të parregullt e në kundërshtim me konventat ndërkombëtare të zyrtarëve të lartë shtetërorë si sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës”, tha Kupina.
“Vërehet qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Republikës së Kosovës dhe për të shkaktuar incident”, tha ai, duke shtuar se për këtë incident është njoftuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderojmë për ndihmën e ofruar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës tha se është informuar për “trajtimin jodinjitoz të presidentes së Republikës së Kosovës” në Aeroportin e Shkupit.
Shkupi thotë se po kryen hetime
Por, Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut tha përmes një njoftimi se përderisa Osmani ishte duke kaluar nëpër kontrollin kufitar, në momentin që asaj iu kërkua që të linte telefonin e saj që të kalonte përmes skanerit, “një pjesëtar i sigurimit të saj është tërhequr nga një punonjës i aeroportit, me qëllim që ajo të kalonte pa telefon të skanuar dhe bagazh dore”.
“Më pas bagazhi u kthye dhe kaloi përmes një skaneri. Pas gjysmë ore erdhi një person nga sigurimi i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, [polic] me dy persona të tjerë [policë] dhe filluan të kërcënojnë punëtorët e Aeroportit dhe të pyesin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”, u tha në njoftim.
Ministria tha se po kryen hetime rreth asaj se çfarë ka ndodhur.
Kabineti i Gashit ka bërë të ditur se sigurimi i tij (punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme), kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të ndihmuar kolegët e tyre që të zbatojnë procedurat e sigurisë gjatë vizitës së personave VIP.
Kompania TAV tha në një komunikatë se “si operator aeroporti, ka detyrim ligjor të kryejë një kontroll sigurie të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Shkupit dhe nga aeroporti i Ohrit, duke përfshirë ata që udhëtojnë nëpër sallonin VIP.”
“Prandaj, departamenti i sigurisë i TAV-it, në kuadër të përgjegjësive, ka kryer kontroll standard të sigurisë së udhëtarit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP, për të siguruar fluturimin specifik komercial”.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha se dënon “veprimet e papranueshme” që kanë ndodhur në Shkup.
“Ky incident tregon qartë paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e përfaqësuesve të paligjshëm shqiptarë në qeveri”, shkroi ai në Facebook.
Aleanca për Shqiptarët dënoi “ashpër provokimin e rëndë ndaj Republikës së Kosovës, përmes sjelljes skandaloze të zyrtarëve të Aeroportit të Shkupit” ndaj presidentes Osmani.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë raporte diplomatike dhe deri më tani nuk kanë pasur incident të kësaj natyre.