Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime ne lidhje me skandalin për dhënien e diplomave false që jepte kolegji Wisdom në vendin tonë në këmbim të pagesave.
Hetimet kane nisur pas kallëzimit te rektorëve Bajram Hysaj dhe Lush Përpali me pretendimin se ne disa raste u janë falsifikuar firma.
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Wisdom” shpk ka regjistruar procedimin penal nr. 4148 të vitit 2024 për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” parashikuar nga neni 187/2 të Kodit Penal. Çështja është në fazën e hetimeve dhe informacion më i detajuar në lidhje me veprimet hetimore në këtë fazë nuk mund t’u vihet në dispozicion për shkak të sekretit hetimor”, tha Prokuroria në një njoftim për mediat”.
Disa ditë më parë autoritet italiane arrestuan 2 administratorët e Universitetit Wisdom, gjatë një operacioni të Guardia di Financa, që lidhej me një skemë mashtrimi me diplomat false.
Sipas mediave italiane, pronari i Wisdom, Savino Cianci i ka dhuruar një çantë 1200 euro presidentes së Këshillit të Akreditimit të Agjencisë për Akreditimin dhe Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë, për akreditimin e Wisdom University’.
Të interesuarit paguanin mesatarisht 8 mijë euro për çdo diplomë apo vërtetim tjetër fals që u jepej studentëve. Kualifikimet ishin të ndryshme: mësimdhënie, diplomë në kriminologji, diplomë hotelerie dhe specializime të tjera.
Vetë dy ish rektorët kanë thënë për mediat se kanë dhënë dorëheqjen në momentin që kanë kuptuar se firmat e tyre po falsifikoheshin për të dhënë diploma false.