Skandal në Tiranë, klinika dentare me preparate të skaduara. Arrestohen stomatologu dhe administratori

Një klinikë denate në zonën e Rrugës së Kavajës në kryeqytet është vënë në qendër të një skandali të rëndë këtë të martë, më 22 korrik, pas zbulimit të përdorimit të preparateve dhe materialeve dentare të skaduara gjatë ofrimit të shërbimeve stomatologjike.

Operacioni policor i koduar “Siguria Dentare”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DPPSh-së në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, ka çuar në arrestimin e administratorit të klinikës, Ervin Zeka 40 vjeç, dhe një stomatologu tjetër, Kejdi Myzyri 26 vjeç.

Sipas autoriteteve, klinika në fjalë ofronte një gamë të gjerë shërbimesh stomatologjike dhe laboratorike, duke përdorur preparate të skaduara, çka përbën rrezik serioz për shëndetin e pacientëve.

“Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ashtu, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 punonjës të tjerë të klinikës, të dyshuar për përfshirje në aktivitetin e paligjshëm. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka nisur hetimi për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë: “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Të Fundit