“Skandal në Bulqizë: 82-vjeçarja vdes në aksident, 16-vjeçari arrestohet, djali i viktimës me infermierët akuzohen për fshehje”

Bulqizë- Vdekja e një gruaje të moshuar mbrëmjen e 28 Gushtit, në fshatin Ostren të Bulqizës, nuk ishte natyrore apo nga rrëzimi, por një aksident rrugor i shkaktuar nga një i mitur, që drejtonte mjetin motor pa leje drejtimi.

Policia e Dibrës njoftoi sot se pas shoqërimit të të dyshuarit, sot (30 Gusht) ka zbardhur vdekjen e 82-vjeçares S.M., dhe ka arrestuar si të dyshuar drejtuesin 16-vjeçar, që duket se ka pasur edhe ndihmës në mbulimin e aksidentit.

Gjithashtu mori nën akuzë edhe djalin e viktimës, si dhe dy infermierët e Qendrës Shëndetësore në Ostren, pasi fshehën detajet dhe dinamikën e ngjarjes, duke e shitur atë si një rrëzim në rrugë.

Policia tha se i mituri po hetohet për veprat penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, “largimi nga vendi i aksidentit”, djali i viktimës për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe 2 infermierët për “shpërdorimi i detyrës”.

Aksidenti ndodhi rreth orës 23:40 të së mërkurës, teksa paraprakisht u njoftua Komisariati se “në fshatin Ostren, aksidentalisht ishte rrëzuar në rrugë shtetasja S.M., 82 vjeçe dhe si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën rrugës për në spitalin e Bulqizës”

“Menjëherë është ngritur grupi hetimor për verifikimin dhe zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, sqaroi policia vendore.

Teksa më tej shtoi dinamikën dhe zbardhjen e detajeve:

“Pas hetimeve të thelluara, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë dhe grumbullimi i të gjitha provave materiale, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje, ku rezultoi se 82-vjeçarja, rreth orës 20:00, të datës 28.08.2024, ishte aksidentuar nga një motomjet që drejtohej nga shtetasi L.M., 16-vjeç, i cili pas ngjarjes ishte larguar nga vendi i aksidentit”.

Nën hetim në gjendje të lirë janë marrë dhe P. M., 56 vjeç, djali i të moshuarës, pasi rezulton se “ka pasur dijeni se nëna e tij është aksidentuar dhe nuk e ka kallëzuar rastin”. Si dhe I.K., 56 vjeç dhe H.K., 62 vjeçe, me profesion infermierë pranë Qendrës Shëndetësore të njësisë Administrative Ostren, të dyshuar se “nuk kanë raportuar për dëmtimet e konstatuara në trupin e 82-vjeçares”.

Të Fundit