Në lidhje me pallatin që prokuroria thotë se është dhënë leja në kundërshti me ligjin, Vangjush Dako i tha Gjykatës se nuk ka dijeni, madje nuk e di dhe sa kate është.
Ai ka dhënë sqarime dhe në lidhje me tenderin për projektin për zhvillimin e vijës bregdetare, nga zona e Brrylit deri në Currila, me pretendimin se nuk kam pasur dijeni dhe gjithçka ka qenë në dorën e specialistëve.
Sipas Dakos kjo procedurë prokuromi publik është zhvilluar nga specialistët dhe se ai nuk ka qenë në dijeni.
Burime brenda seancës bëjnë me dije se kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur në asnjë moment procedurën e prokurorimit për këtë tender.
Ish kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, i ka kërkuar gjykatës masë më të butë sigurie.
Avokati i tij mbrojtës Petrit Ismalili përpara gjykatës është shprehur se Dako nuk ka lidhje me akuzat, e për këtë ai ka kërkuar masa më të buta si ajo e arrestit shtëpiak, detyrim për tu paraqitur, apo edhe garanci pasurore.
Ndërkohë, seanca vijon ku janë të pandehurit e tjerë që po japin shpjegimet e tyre për akuzat e ngritura nga SPAK.