Qeveria kubane ka shkarkuar nga detyra ministren e Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Marta Elena Feitó, pas një deklarate publike shumë të diskutueshme, ku ajo u shpreh se “në Kubë nuk ka lypës, por njerëz që sillen si të tillë për të shmangur punën”.
Deklarata e saj u dha në një transmetim të drejtpërdrejtë të hënën dhe u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar reagime të forta dhe zhgënjim në publik.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar të martën në mbrëmje (15 korrik), qeveria kubane thekson se ministrja nuk tregoi objektivitet dhe ndjeshmëri në trajtimin e një çështjeje me rëndësi të madhe për politikat sociale të vendit.
Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, e kritikoi ashpër Feitón për mungesë empatie dhe moskuptim të thellë të shkaqeve që qëndrojnë pas varfërisë dhe pabarazive sociale.
“Njerëzit që shfaqen në rrugë si të pastrehë apo që merren me lypje, janë rezultat i pabarazive sociale dhe problemeve të grumbulluara ndër vite. Të pambrojturit nuk janë armiqtë tanë,” tha presidenti kuban.
Vetë ministrja, në deklaratën e saj që shkaktoi skandalin, ishte shprehur:
“Ne kemi parë njerëz që sillen si lypës, por nëse i sheh nga afër – duart e tyre, rrobat që mbajnë – janë të maskuar si lypës. Në Kubë nuk ka lypës. Ata kanë gjetur një mënyrë të lehtë jetese, për të fituar para pa punuar siç duhet.”.
Këto komente kanë ngjallur debat të ashpër në shoqërinë kubane, ku varfëria është bërë gjithnjë e më e dukshme për shkak të krizës ekonomike që po përjeton vendi.