Qyteti i Durrësit, ashtu si shumë qytete të tjera në vend, ndodhet në situatë të rëndë përsa i përket përmbytjeve nga reshjet. Një nga zonat më kritike mbetet ish-Këneta, e cila që prej ditës së djeshme është e mbuluar nga uji.
Shtëpi edhe biznese janë të përmbytura, situatë alarmante kjo e ngritur nga banorët.
Në një intervistë për media, një banor i kësaj zone tha se kryebashkiakia nuk i ka vizituar familjet e prekura nga kjo situatë e rëndë.
“Jemi përmbytur tre herë. Uji ka hyrë dje në orën 7 të mëngjesit dhe është 40 cm në nivel. Bashkia s’ka asnjë investim, ne na quajnë të ardhur si alienë se ska mundësi. Në kohën e Enverit s’të prekte këmba në ujë, sot jemi rrafsh me ujë. Ka rënë shi i madh, këtë duhet ta pranoj, por jo tre herë përmbytje. Jemi përmbytur në shtator, nëntor dhe tani. Unë s’dua lekë, dua një investim që të rri rehat në shtëpinë time. Kemi fjetur gjumë në katin e dytë, nëna fle akoma në ballkon. Gjatë kësaj kohe, të na rrojë kati i dytë, se do kishim dalë me çadra. Kryetarja e bashkisë s’na ka parë fare, ajo i merr taksat, bashkia merr taksat. Atë as në TV s’e kam parë mbrëmë, prefekti dilte, ajo hiç”, është shprehur një kryefamiljar në ish-Kënetë në Durrës për gjendjen aktuale në të cilën ndodhet shtëpia e tij nga situata e reshjeve.
Përveç Kënetës, në situatë alarmante janë dhe Spitalla dhe Nishtulla.




