Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare po vijojnë intensivisht operacionin “Siguria Detare”, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në të gjithë hapësirën ujore të vendit – nga Komani në Ksamil.
Gjatë javës që lamë pas, janë kontrolluar në total 414 mjete lundruese, nga të cilat 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme të rregullave të sigurisë në ujë.
Konkretisht, janë bllokuar:
16 jet ski
4 skafe
3 gomone
3 varka metalike me motor uji të instaluar
11 mjete lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative nga 100 000 lekë secili.
Ndërkohë, falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 28 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), si dhe 9 mjete lundruese, të cilat kishin rrezikuar të dilnin jashtë kontrollit.
Apel i Policisë Kufitare:
Policia bën thirrje për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese, si më poshtë:
Mos shkelni perimetrin e sigurisë së pushuesve;
Lundroni vetëm në zonat e lejuara;
Pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.
Policia e Shtetit fton qytetarët dhe pushuesit të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe masa të rrepta ndaj shkelësve.