Në Korçë është ngritur shqetësimi për përzgjedhjen e bursave të nxënësve, pasi nga rreth 703 aplikime janë miratuar vetëm 280 kuota. Alket Piti është drejtuar në emisionin “Stop”, pasi vajza e tij, e diagnostikuar me autizëm dhe epilepsi, edhe pse ka përfituar bursë çdo vit, këtë herë ka mbetur jashtë skemës.Sipas tij, dokumentacioni është dorëzuar në shkollë dhe procesverbali është plotësuar nga mësuesja më 23 tetor, brenda afatit zyrtar. Megjithatë, nga Ndërmarrja e Shërbimeve Mbështetëse për Arsimin dhe Çerdhet në bashki, i është komunikuar, se dokumentet janë paraqitur jashtë afatit.Drejtoresha e shkollës shprehet, se dokumentacioni është dërguar më 23 tetor, kur afati i fundit ka qenë 27 tetori, pasi fondi për bursat ishte miratuar me vonesë.Nga ana tjetër, në Ndërmarrjen e Shërbimeve Mbështetëse për Arsimin sqarojnë, se dokumentet kanë qenë brenda afatit, por për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe numrit të kufizuar të bursave, me vendim të Këshillit Bashkiak është vendosur, që përzgjedhja të bëhet sipas datës së dorëzimit të dokumentacionit.Në këtë mënyrë u përzgjodhën vetëm aplikimet e bëra deri më 17 tetor, ndërsa aplikantët e tjerë, edhe pse mund të kishin nevoja më të mëdha ekonomike apo sociale, mbetën pa bursë.



