Një partnere e Nemesio Oseguera Cervantes, lider i Cartel Jalisco Nueva Generacion (CJNG), i cili u vra kohët e fundit gjatë një operacioni të madh policor në Meksikë, rezultoi të kishte rol kyç për lokalizimin e tij në Tapalpa, një fshat piktoresk me shtëpi pushimi në perëndim të Meksika.
59-vjeçari Oseguera, i njohur me nofkën “El Mencho”, u plagos gjatë një përleshjeje me ushtrinë meksikane të dielën dhe vdiq teksa transportohej me helikopter drejt spitalit.
Operacioni u ndërmor pasi agjentët e inteligjencës ushtarake meksikane, të mbështetur nga Komanda Veriore e Shteteve të Bashkuara, mësuan se gruaja planifikonte të takohej me bosin e drogës në Tapalpa, rreth 130 kilometra nga Guadalajara, kryeqyteti i shtetit Jalisco.
Sekretari meksikan i Mbrojtjes, Ricardo Trevilla, deklaroi në një konferencë për shtyp se vajza në fjalë, “një nga partneret e ‘El Mencho’”, ishte dërguar në një shtëpi në Tapalpa nga një bashkëpunëtor i besuar. Sipas tij, ajo u takua me Oseguerën të shtunën dhe më pas u largua, duke e lënë atë në fermë me rojet e sigurisë.
Plani i operacionit u hartua nga Forca Speciale e Reagimit të Menjëhershëm të Gardës Kombëtare, duke përfshirë manovra tokësore dhe ajrore. Sipas Trevillës, trupat iu afruan zonës pa hyrë fillimisht në territorin e Jalisco-s, me qëllim ruajtjen e sekretit dhe elementit të befasisë.
Pasi konfirmuan praninë e Oseguerës, i kërkuar për krim të organizuar dhe posedim armësh, forcat e sigurisë ndërmorën bastisjen e fermës që çoi në përleshjen fatale.



