Shtypi këmbën e efektives së policisë gjatë tentativës për t’u larguar, arrestohet 42-vjeçari

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Tiranë, ku një drejtues automjeti ka përfunduar në pranga pasi kundërshtoi urdhrat e Policisë dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, i ka shkelur këmbën një punonjëseje policie.

Sipas njoftimit zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit Nr. 2 arrestuan shtetasin J. H., 42 vjeç.

Ngjarja ndodhi pasi ky shtetas u konstatua se kishte parkuar automjetin në mënyrë të parregullt, duke penguar qarkullimin. Në momentin që punonjësit e Policisë i kërkuan të lëvizte mjetin, ai ka reaguar në mënyrë agresive dhe ka tentuar të largohet.

Gjatë kësaj tentative, me gomën e automjetit ka shkelur këmbën e një punonjëseje policie, e cila ndodhej në krye të detyrës.

I dyshuari u ndalua menjëherë dhe ndaj tij janë ngritur akuza për kundërshtim të punonjësit të rendit dhe dëmtim të personit që ushtron funksione shtetërore.

Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Të Fundit